Igli Tare është kthyer përsëri në epiqendër të vëmendjes në Itali. Jo aq shumë për zërat që e shohin atë me një post drejtuesit te Interi, aq sa për faktin se për të disatën herë ka ndërtuar një Lacio konkurruese edhe pse në fillim pritet me mosbesim.

Gazeta “Il Tempo’ i ka kushtuar një hapësirë të rëndësishme drejtorit sportiv shqiptar, në një intervistë ku ai tregon jetën e tij futbollistike, që nga Partizani e deri te Lacio, ku tashmë është kthyer në një nga drejtuesit më me emër të Serisë A.

Drejtor, si ka nisur pasioni juaj për futbollin?

Në rrugë, në shkollë, në rrugicat e qytetit tim. Jam rritur si futbollist te Partizani i Tiranës, një klub që është pikë referimi për mua dhe të gjithë familjen time. Fatkeqësisht janë shumë vite që nuk kthehem aty.

A ishte Gjermania eksperienca juaj më formuese?

Në Greqi u bëra burrë, ndërsa në Gjermani u formova si futbollist, kam kaluar 9 vite shumë të rëndësishme aty. Bundesliga ishte e ngjashme me atë që është sot.

Breshia apo Bolonja?

Kanë qenë dy eksperienca të rëndësishme, kam lidhur një raport me të dy tifozeritë. Por vitet e para ishin të komplikuara, kishte mosbesim ndaj meje. Pastaj fitova respektin e të gjithëve.

Dhe takuat Baxhon…

Roberto është sinonimi i fjalës futboll, kujtimet që kam prej tij mbeten unike. Fatkeqësisht nuk jemi dëgjuar shpesh së fundmi.

Guardiola?

Ishte që atëherë një trajner në fushë, me të flitej për taktikë nga mëngjesi deri në darkë. Ishte një person shumë i përgatitur, prej disa vitesh po e tregon edhe në fushën e lojës.

A e kujtoni ditën kur mbërritët te Lacio?

Isha në Sardenja, më telefonoi drejtpërdrejt presidenti Lotito. Impakti im i parë nuk ishte pozitiv, sa mbërrita u dëmtova. Fatkeqësisht koincidoi gjithçka me shpërthimin e Pandev dhe Rokit. Për këtë arsye kisha shumë vështirësi të ambientohesha.

A do të ktheheni një ditë në Shqipëri për të punuar në futboll?

Është diçka që nuk e kam mohuar kurrë, do të më pëlqente shumë, jam shumë i lidhur më vendin tim. Por në Romë disa fraza të miat janë keqkuptuar.

A jeni të kënaqur nga Lacioja juaj aktuale?

Çdo vit dëgjoj të jepen vlerësime para kohe. Mrekullitë ndodhin vetëm një herë në jetë dhe Lacio nuk mund të jetë gjithmonë fryt i një mrekullie. Duhet vazhdimësi në rezultate dhe projektet me të cilat po punojmë. Roma është një pjacë e veçantë, vetëm duke qëndruar të bashkuar mund të arrihen objektiva të caktuar. Por nuk është e lehtë, ka shumë interesa të përfshira.

Në perspektivë, a është Milinkoviç-Saviç blerja më e rëndësishme që ke sjellë te Lacio?

Ka pasur edhe shumë të tjerë, fatkeqësisht priten të gjithë me mosbesim. Sergej ka treguar cilësi dhe personalitet, duhet ta lëmë të rritet dhe ndoshta edhe të gabojë i qetë.

Çfarë ndeshje prisni ndaj Torinos?

Një ndeshje që nuk duhet nënvlerësuar, kanë në përbërje golashënuesin më të mirë të kampionatit. Por për rrugëtimin tonë, do të ishte shumë e rëndësishme të nisnim ndeshjen menjëherë në mënyrë agresive, duam të arrijmë Europën, kjo është ëndrra jonë.

Artikulli paraprakPolemikat s’kanë të ndalur: Nuk do ta besoni se ç’farë shkruajnë lojtarët e Milanit mbi trofetë që i’u hoqën Juventusit
Artikulli tjetërInter – Atalanta: Ja përse “zikaltërit” kanë rrëzuar barrierat e historisë