Trepikëshi i shënuar nga Justin Davis, 1 minutë e 26 sekonda para fundit të ndeshjes, e ka vendosur fitoren e Pejës përballë Prishtinës.

Peja ishte duke fituar 65:64, ndërsa Davis më pas realizoi për tri pikë për 68:64. Dante Clark më pas realizoi dy pikë për Prishtinën, por nuk ishin të mjaftueshme për ta shmangur disfatën. Arian Qallaku e shënoi njërën nga dy gjuajtjet e lira në fund, dhe Peja triumfoi ndaj Sigal Prishtinës në ndeshjen që u zhvillua në Pallatin e Sporteve në kryeqytet, me rezultatin 69:66.

Ndeshja i ka takuar xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Çerekun e parë e fituan pejanët 25:19, kurse të dytin prishtinasit, 21:11. Periudha e tretë u takoi sërish mysafirëve, 21:17, njësoj si 10-të minutëshi i fundit, 12:9.

Larry Thomas ishte më i dalluari në fitore te Peja me 24 pikë, tetë kërcime e katër asistime. Justin Davis e mbylli ndeshjen me tetë pikë, 20 kërcime dhe një asistim. Shaheed Davis te Prishtina e mbylli ndeshjen me 17 pikë, katër kërcime e tri asistime.

Peja mbetet e dyta me 35 pikë pas 20 ndeshjeve, me 15 fitore e 5 disfata. Prishtina e treta ka 33 pikë, me 13 fitore e shtatë disfata.

© KOHA. 

Artikulli paraprakBarcelona triumfon ndaj Alaves, Vitor Roque gol dhe karton të kuq
Artikulli tjetërXavi: Ishim skuadër e pjekur, Lamine është kafshë…