Tre futbollistët shqiptarë të Terek Groznit në Rusi, Bekim Balaj, Odise Roshi dhe Bernard Berisha, kanë folur së bashku për mikrofonin e “Supersport” në një kronikë speciale të realizuar nga Antalja, kur ndodhen me skuadrën e tyre për të zhvilluar fazën përgatitore.

Për bashkimin e tre shqiptarëve te Tereku

Balaj: Tani jemi në Antalja për fazën përgatitore. Ndoshta është rastësi që jemi tre shqiptarë në një ekip, por shpresoj që kjo ‘varkë’ kuqezi të na çojë sa më larg.

Roshi: Tani jemi tre shqiptarë. Unë Berishën e njoh prej kohësh dhe i uroj sa më shumë gola dhe asist. Sa më shumë asist për Bekimin se ai i do golat. Është një kënaqësi që tre shqiptarë luajnë në Rusi dhe në një ekip të vetëm.

Berisha: Pavarësisht se kisha shumë oferta, zgjodha Terekun se këtu janë dhe dy bashkëkombësit e mi. Mendoj që kam bërë zgjedhjen e duhur dhe kam besim se do ia arrijmë synimit të klubit duke u paraqitur sa më mirë. Të tregojmë se ne shqiptarët edhe me lojë, edhe me edukatë, edhe me çdo gjë tjetër jemi të përkryer.

Për vendosjen në fushë

Balaj: Tani me të dy në krahë mendoj se shanset për të shënuar do jenë akoma më të mëdha. Konkurrenca është e madhe sepse pjesë e Terekut janë shumë lojtarë kombëtaresh të ndryshme dhe nuk do të jetë e lehtë, por mendoj se të tre bashkë ne do ndihmojmë njëri-tjetrin sepse jemi të tre lojtarë ofensivë dhe me golat dhe fitoret që do të marrë ekipi, do të kemi më shumë shanse për të luajtur. Këta kontratat i kanë me bonuse për asiste, por që asisti të marrë vlerë duhet ta çoj unë topin në rrjetë (qesh).

Berisha: Unë i njoh cilësitë e Bekimit dhe kur jemi bashkë bisedojmë dhe i tregoj se ku do ja hedh gjithmonë topin. Kam shumë besim në vetvete dhe e di që Bekimi do shënojë shumë gola falë meje dhe Roshit. Jam i bindur që i kemi cilësitë për të ndihmuar Bekimin.

Balaj: Me Bernardin nuk është hera e parë që njihem dhe stërvitem sepse ka qënë për një periudhë pjesë e kombëtares U-21.

Për përgatitjet me Terekun

Berisha: Nuk isha mësuar të stërvitesha kaq shumë. Te Anzhi stërviteshim 1 orë e 20 mintua, por këtu punohet shumë dhe më vjen mirë sepse më jep më tepër motivim për të treguar vlerat.

Roshi: Jemi duke zhvilluar një fazë përgatitore shumë të fortë. Çdo seancë është nga 2 orë e 40 minuta dhe bëjmë nga dy seanca në ditë. Shpresojmë të luajmë të tre në formacion. Konkurrenca është shumë e madhe, për shembull unë në pozicionin tim kam 4 lojtarë, por kjo është gjë e mirë sepse pa konkurrencë nuk ecën dot përpara.

Balaj: Mendoj se diçka që i favorizon këta të dy është se janë nga lojtarët më të shpejtë të kampionatit rus. Kapiteni i tha Berishës se do e ketë problem si do e ndajë fushën me mbrojtësin iranian të krahut të majtë pasi janë të dy shumë të shpejtë dhe do bëjnë gara “Rally” kush do arrijë i pari në fund.

Për kombëtaren shqiptare dhe Kosovën

Berisha: Me thënë të drejtën, ëndrrën e kisha të luaja për kombëtaren shqiptare, por kjo ëndërr s’mu realizua dhe akoma nuk e di pse. Gjithsesi jam i lumtur që Shqipëria arriti kualifikimin në EURO 2016. Për Kosovën 2016-a ishte shumë e suksesshme sepse u thye izolimi. Kosova ka shumë talente ndaj edhe pse kemi grup shumë të fortë, në 2017-n mendoj që do paraqitemi sa më mirë.”

Balaj: Futbolli është i tillë që sukseset ngelen mbrapa dhe puna vazhdon. Tani jemi në eliminatoret e Kupës së Botës dhe kemi pasur luhatjet tona. Ndeshja e fundit s’na la shije të mirë, por ka ende shumë ndeshje dhe mundësia për të bërë mirë është reale. Ndaj Italisë është një ndeshje pas një pauze 4 mujore dhe e rëndësishme është të jemi të gjithë sa më në formë. Kemi bërë surpriza shpesh dhe e radhës shpresoj të jetë në Itali.

Roshi: Kemi marrë pikë kundër Francës, kundër Portugalisë, ndaj pse mos marrim dhe kundër Italisë. Duhet të jemi sa më të përgatitur dhe të marrim një rezultat pozitiv. Unë jam një tifoz italian dhe do ishte ëndërr ta fitoja atë ndeshje kundra tyre. Për më tepër sepse luhet në Palermo dhe unë Palermon e kam qejf si qytet. Dërisha ime ishte të bëhej aty ndeshja sepse shohim shumë filma me Bekimin që realizohen aty. Do ishte një ëndërr jo vetëm për mua, por për gjithë shqiptarët.

Berisha: Së pari iu dëshiroj çunave suksese në kombëtaren e gjithë shqiptarëve. Në Kosovë kemi akoma shumë punë sepse sapo kemi filluar. Kemi shumë talente, por duhet të përmirësohemi akoma më shumë dhe me paraqitje sa më të mira t’i bëjmë gjithë shqiptarët krenarë.

Balaj-Berishës: Duhet të paraqiteni mirë se luani në “Loro Boriçi” (qesh).

Balaj: Kosovës i uroj suksese dhe edhe pse janë në fillimet e tyre, kanë shumë lojtarë të mirë dhe në të ardhmen mund të bëjnë shumë mirë. Pavarësisht se si shqiptar, dëshira e të gjithëve është të kishim një kombëtare gjithëpërfshirëse siç ka qënë për shumë vite, rrethanat e sollën kështu. I uroj më të mirën Kosovës, por jam i sigurt se kombëtarja e Shqipërisë do të jetë gjithëpërfshirëse gjithmonë dhe do ketë në përbërje shqiptarë nga të gjitha trevat.

Artikulli paraprakWarriors dhe Cleveland humbën, James dhe Westbrook regjistruan triple-double
Artikulli tjetërKampionia dëmtohet duke dashur të respektojë rregulloret