Stefano Pioli nuk e ka dramatizuar situatën pas humbjes së parë sezonale që pësoi Milani i tij, me shifrat 1-3 ndaj Juventusit në San Siro. Trajneri i kuqezinjëve vlerësoi skuadrën e tij për paraqitjen, pasi me aq shumë mungesa sa kishte Milani, djemtë e tij bënë një figurë të shkëlqyer përballë skuadrës që ka dominuar futbollin italian në 9 vitet e fundit.

“Ne duhet të heqim kapelat dhe t’u japim meritë kundërshtarëve tanë, që arritën të fitonin ndeshjen. Bëmë atë që na duhej, krijuam shanse dhe në mënyrë të pashmangshme i lejuam edhe disa aksione të tyre, por pasi pësuam golin e dytë, u bë e vështirë të ktheheshim. Do të vlerësojmë disa situata mbrojtëse, ku mund të kemi bërë më mirë, por ekipi iu qas kësaj loje me bujari, vendosmëri dhe përqendrim. Portieri i tyre bëri një pritje të shkëlqyer ndaj Diogo Dalot kur ishte 1-1, pastaj ata shënuan për 2-1 dhe na u bë malore”.

“Shumë skuadra do të luftonin duke humbur kaq shumë lojtarë, por megjithëse na duhej t’i ndryshonim shumë gjëra, ne u përpoqëm të mbanim identitetin tonë dhe mendoj se e bëmë këtë. Ishte lojë shumë e barabartë deri në golin e dytë të Juventusit dhe unë mendoj se ai ishte momenti, që ndryshoi gjithçka”.

“Skuadra mund të ishte frikësuar nga situata, ne mësuam mbrëmë që dy lojtarë nuk do të ishin pjesë e ndeshjes, por ne mbajtëm vlerat dhe identitetin tonë. E dinim se Juventusi mund të përfitonte nga situata, pasi ata kanë fituar nëntë titujt e fundit të Serie A, por ne luajtëm mirë në përgjithësi. U penalizuam nga cilësia e tyre në situata kur mund të ishim pak më të përqendruar”.

/Supersport.al

Artikulli paraprakPirlo: Nuk na interesonin rezultatet e rivalëve, pas disa muajsh do ta shikoni Juven e vërtetë!
Artikulli tjetërInter po i shet disa akcione të klubit, priten milionat…