Kompania e basteve “Eurolive”, e cila prej kohësh u jep mundësi klientëve të saj që të vënë baste për ndeshjet e Superligës së Kosovës, kishte bllokuar mundësinë e vënies së basteve në ndeshjet e xhiros së 23-të.

Arsye për këtë “bllokim” të ndeshjeve të Superligës së Kosovës janë dyshimet për trukimin e dy sfidave. Ndeshja Ferronikeli – Drenica dhe ajo Besa – Trepça janë të dyshuara për kurdisje.

E drejtori i kompanisë “Eurolive”, Pleurat Kastrati thotë që ndeshjet e Superligës janë bllokuar në pikat e basteve të kësaj kompanie për shkak të fjalëve që kishin dalë para ndeshjes.

“Kanë qenë në bastore këto dy ndeshje, por kanë qenë të bllokuara. Por te ne janë të kufizuara shumat e ndeshjeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Janë bllokuar nga frika, por diçka konkrete nuk ka pasur”

“Shumicën e rasteve del një fjalë dhe nga frika që ne mos me dalë ne në minus shumë të madh, dhe në momentin që kemi kuptuar e kemi bllokuar. Ne nuk do i kishim bllokuar për shkak të klientazhës, por këtu bëhej fjalë për shuma shumë të mëdha”, deklaroi për Insajderin drejtori i kompanisë “Eurolive”, Pleurat Kastrati.

Kastrati më tej zbulon edhe një detaj tjetër. Ai thotë se ndeshjet e Superligës së Kosovës nuk kanë qenë të bllokuara gjatë javëve të kaluara.

“Gjatë javëve të kaluara nuk kanë qenë të bllokuara këto ndeshje”, tregon ai.

Para ndeshjes Besa-Trepça e cila u zhvillua të dielën në Pejë, ishin hapur dyshime se është manipuluar.

Madje alarmin për këtë trukim e kishte përhapur kryetari i grupimit të tifozerisë “Plisat”, Albert Kastrati, i cili deklaroi se rezultati i kësaj ndeshje është i ditur para se të filloj ndeshja. Kreu i “Plisave” tha se informacioni se kjo ndeshje është trukuar ka arritur jashtë Kosovës.

Ndërkaq, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës Eroll Salihu ka thënë sot se federata e ka dërguar në prokurori rastin e ndeshjes Besa-Trepça. Ai ka thënë se trupimi i ndeshjeve është dukuri që prish imazhin e futbollit të Kosovës.

Klubi i Besës ka reaguar për ndeshjen në fjalë, derisa përmes një komunikate dërguar medieve ka thënë se mirëpret vendimin e FFK-së për dërgimin e ndeshjes në prokurori.

“Për të mos e zgjatur shumë me arsyetime, deklarojmë se e mirëpresim vendimin e FFK-së që rastin ta dërgoj në prokurori dhe në instancat tjera relevante dhe njëherë e mirë të vërtetohet kjo gjë”, thuhet në reagimin e KF Besës. /Insajderi.com

Artikulli paraprakVIDEO/ Gaboi Donnarumma?- Nuk keni parë gafat e Didës dhe Buffon
Artikulli tjetërI ka refuzuar të gjithë vetëm për të qenë rosoner!