Unikale në futbollin shqiptar. Më në fund dje ka përfunduar ndeshja që nisi… 138 ditë më parë. Nuk është një trill apo fantazi, por gjithçka e vërtetë nga historia e pabesueshme që ka ndodhur dje në Kamzë.

Autoritetet shqiptare duhet të thërrasin përfaqësuesit e rekordeve “Guinness”, pasi sipas të gjitha gjasave ndeshja e kampionatit U­19 ndërmjet Shkëndijës së Tiranës dhe Laçit mund të certifikohet si sfida që ka zgjatur më shumë ndonjëherë në historinë e futbollit botëror. Bëhet fjalë për një takim që nisi më 30 tetor të 2016-­s, kur u luajtën 59 minuta dhe dje pas më shumë se katër muajsh e gjysmë përfundoi me zhvillimin e 30 minutave të mbetura.

NGJARJA
Ndeshja e të rinjve mes Shkëndijës dhe Laçit e vlefshme, për javën e 6­të, nisi në orën 12:00 të datës 30 tetor 2016 dhe përfundoi dje më 17 mars 2017, në orën 13:45. Plot 138 ditë ose 198.720 minuta u deshën për të mësuar rezultatin e kësaj sfide, shkruan “panorama”.

Më 30 tetor, ndeshja u ndërpre në minutën e 59­të për shkak të largimit të Policisë së Rendit nga ambientet ku luhej sfida dhe atëherë kryesori Ndinjon Përmeti vendosi ta ndërpresë lojën, kur rezultati ishte i barabartë 0:­0.

Kështu, 31 minutat e mbetura janë luajtur pasi më parë ishte zhvilluar normalisht edhe takimi i fazës së dytë.

NDRYSHIMET

Nga ajo ditë e deri dje kishin ndryshuar shumë gjëra në këtë sfidë. Takimi u gjykua nga Daniel Haskaj, pasi mungonte kryesori, Ndinjon Përmeti, i cili për momentin gjykon në Rumani, ndërsa dy anësorët ishin të njëjtët e takimit të mëparshëm. Nuk kanë luajtur te Shkëndija Esat Malaj, i cili tani është pjesë e akademisë së Lokomotivës së Zagrebit në Kroaci dhe Urim Kastrati, që është transferuar tek akademia e Dinamos së Zagrebit. Në vend të tyre janë aktivizuar lojtarët e stolit të asaj ndeshjeje: Serialdo Hysi dhe Mikea Avdillari. Gjithashtu, te Laçi në vend të Kevin Dodaj është aktivizuar Dedë Bushi. Për sa i përket rezultatit, Laçi ka fituar 1­0 me golin e Bushit në minutën e 89­të.

Artikulli paraprak“Bomba” nga Anglia: Lajmi i fundit shokues për tifozët e Arsenalit, por fantastik për Milanin ose Juventusin!
Artikulli tjetërDybala nga rrjetet sociale për ndeshjen ndaj Barcelonës: Kur i’u beson shokëve s’ka vend për frikë! Forca Juve….