Armando Sadiku menjëherë përcaktues te Lugano. Në ndeshjen e tij të dytë si titullar, sulmuesi i kombëtares shqiptare, realizoi golin e tij të parë me Luganon duke ndihmuar skuadrën e tij të re të mposhte me rezultatin e thellë 3-0 Grasshoppers-in, në sfidën e vlefshme për javën e 20-të të Superligës zvicerane.

Goli i parë për Armando Sadikun në aventurën e tij të dytë me Luganon dhe njëkohësisht fitorja e parë për ish zëvendësin e Gianni De Biasit, Paulo Tramezzanin në stolin e ekipit zviceran pas asaj humbjeje të javës së shkuar ndaj kampionëve në fuqi të Baselit.

Sadiku e kërkoi golin që në minutat e para por rrjeta e jashtme i mohoi festën pas një goditjeje me kokë. Lugano kishte një marsh më shumë se Grasshoppers në këtë sfidë dhe në harkun e 7 minutave në të 11-tën dhe 18-tën realizoi dy herë me Sabbatinnin dhe Carlinhos. Avantazhi i dyfishtë ia bëri shumë më të thjeshta gjërat skuadrës vendase që ja doli të administronte shumë mirë epërinë, duke kundërsulmuar rrezikshëm herë pas herë.

Pikërisht në një aksion të shpejtë Lugano gjeti të pavendosur mirë mbrojtjen e miqëve me brazilianin Carlinhos që pasoi për Sadikun i cili në minutën e 70-të realizoi edhe golin e tretë të ndeshjes duke hipotekuar fitoren e Luganos që falë këtij suksesi u ngjit në vendin e 7-t të kampionatit në kuotën e 21 pikëve. Për Sadikun i cili luan si i huazuar nga Zyrihu te Lugano ky ishte goli i parë në këtë sezon të Superligës Zvicerane./SS/.

Artikulli paraprakKandidat në UEFA, Duka: I kam dy vota, por rivalët janë të fortë
Artikulli tjetërIgli Tare e “bllokon” serbin e Lazios