Pavarësisht interesimit të Realit të Madridit apo Barcelonës, sulmuesi Paulo Dybala nuk e mendon largimin nga kampionët e Italisë dhe dëshiron të jetë pjesë e Juventusit.
Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Giuseppe Marotta ka thënë se në fund të muajit shkurt skuadra bardhezi do të nënshkruajë kontratën e re me sulmuesin, Paulo Dybala.
“Dybala? Nuk ka asgjë të re. Përfaqësuesit e tij janë në Argjentinë dhe do të kthehen në fund të muajit për të nënshkruar kontratën e rinovimit”, u shpreh Marotta.
Nga marrëveshja e re Dybala pritet të përfitojë rreth 7 milionë euro në sezon një shifër e konsiderueshme për një lojtar 23-vjeçar, por plotësisht e merituar sepse në 1 sezon e gjysmë ai ka bërë paraqitje të shkëlqyer.
Në kontratën e re palët kanë vendosur të mos përfshinë asnjë klauzolë largimi, një sinjal i qartë ky se për drejtuesit e Juves, Dybala nuk ka çmim.