Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar sot lajmin që qarkullon prej ditësh në lidhje me një nga anëtarët e stafit teknik. Bëhet fjalë për Paolo Tramezzani, i cili do të largohet nga kombëtarja për tu bërë trajner i Lugano-s në Zvicër.
Në faqen zyrtare FSHF, shkruan: “Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ka zgjidhur sot kontratën me Paolo Tramezzani-n, zv.trajnerin e Kombëtares së futbollit dhe drejtor teknik i kombëtareve të moshave.Me këtë rast, Federata Shqiptare e Futbollit falënderon Tramezzani-n për punën e bërë gjatë këtyre viteve me ekipin kombëtar dhe kontributin e dhënë për ngjyrat kuqezi. Njëkohësisht, Federata i uron atij suksese në të ardhmen.”
Federata tashmë është në kërkim të zëvendësuesit të tij, pasi duhet shtuar se më herët edhe Erjon Bogdani u largua nga stafi teknik.