Kombëtarja e Zvicrës vazhdon të ketë ecuri perfekte në kualifikueset e Kupës së Botës 2018. Zviceranët kanë regjistruar fitoren e katërt në po kaq ndeshje të zhvilluara në Grupin B, ku kryesojnë me 12 pikë.

Në sfidën e zhvilluar pasditen e sotme në Luzern, bardhekuqtë kanë fituar me rezultatin e ngushtë 2-0 ndaj Ishujve Faroe, që mbajnë vendin e katërt në grup me 4 pikë. Golat që kanë vendosur ndeshjen janë realizuar nga Derdiyok në minutën e 27-të dhe Lichtseiner në të 83-ën. Ndërkohë në vendin e dytë të këtij grupi është ngjitur Hungaria, që ka fituar 4-0 ndaj Andorrës, falë golave të Gera (34’), Lang (43’),  Gyurcso (73’) dhe Szalai (88’). Bëhet fjalë për një vend të dytë të përkohshëm, pasi Portugalia do të ketë mundësinë ta rimarrë këtë pozicion mbrëmjen e sotme në ndeshjen kundër Letonisë.

Nga ana tjetër Holanda është kthyer te fitorja në javën e katërt të Grupit A, pasi në javën e tretë ka humbur në shtëpi kundër Francës, që kryeson këtë grup me 10 pikë. Lojtarët e Blind, në fakt, kanë mundur në transfertë skuadrën e Luksemburgut, që pas këtij rezultati kanë përfunduar në vendin e fundit të grupit me vetëm 1 pikë. Megjithatë, nuk ka qenë një sukses i lehtë për t’u arritur nga holandezët, të cilët kanë arritur të sigurojnë tri pikët në pjesën e dytë të kësaj sfide. Robben dhe Depay kanë qenë protagonistët e takimit, duke realizuar tre golat që i kanë dhuruar fitoren 3-1 portokallinjve dhe vendin e dytë në grup

Artikulli paraprakHamilton fitoi, por Rosberg mban ritmin e nevojshëm
Artikulli tjetërTurqi – Kosovë, FFK deklarohet për mungesën e zëvendësimeve