Liridon Latifi pas ndeshjes së kthimit që Skënderbeu do të luajë me Dinamon e Zagrebit për “Play-off”-in e Europa League, do të largohet nga ekipi.
Ylli i korçarëve ishte i ftuar në një lidhje direkte, në “Zona Gol”, ku foli për arsyen pse zgjodhi të vazhdojë karrierën e tij në Hungari me Puskas.
“Zgjodha Puskas sepse dua t’i hedh hapat e karrierës një nga një. Nuk doja të rrezikoja duke zgjedhur një ekip të madh, pasi mund të ishte e vështirë për të gjetur hapësirat e duhura. Pra, vura anën sportive, para asaj ekonomike apo prestigjit”, u shpreh Latifi.
Sulmuesi komentoi edhe ndeshjen me Dinamo Zagreb dhe premtoi maksimumin për t’u kualifikuar.
“Pavarsisht se e ardhmja ime është e qartë tashmë, unë dhashë maksimumin në Zagreb dhe jam gati të jap gjithçka nga vetja, për të ndihmuar Skënderbeun, të kualifikohet për në fazën e grupeve”, tha sulmuesi në ikje i korçarëve.