Nuri Sahin largohet nga kombëtarja e Turqisë. Mesfushori i Borussia Dortmund ka njoftuar sot, tërheqjen nga ekipi përfaqësues pas dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin “Rusi 2018”.

29-vjeçari debutoi me Turqinë në vitin 2005 në fitoren 2-1 kundër Gjermanisë, vendit ku ai u lind dhe u rrit. Sahin shënoi edhe një prej golave në këtë sfidë, duke u bërë golashënuesi më i ri i ekipit përfaqësues të Turqisë, vetëm 17 vjeç.

Ai regjistron 51 prezenca me kombëtaren. “Po e mbyll karrierën time në ekipin kombëtar, sepse dua t’u jap përparësi të rinjve.

Jam i bindur se nëse i mbështesim me një plan të mirë në 10-15 vitet e ardhshme ata do të jenë në gjendje të arrijnë sukses të madh”, shkruante Sahini në një deklaratë postuar në Twitter.

Turqia do të luajë më 13 nëntor një ndeshje miqësore kundër Shqipërisë.

Artikulli paraprak“Po marr pjesë i gjallë në funeralin tim”, habit deklarata e Montella
Artikulli tjetërUltimatumi i fundit: Ja kur shkarkohet Montella