Russell Westbrook zgjedh rrugën më të vështirë, atë të qëndrimit te Oklahoma City Thunder, duke arritur të shpëtojë ekipin nga shpërbërja pas largimit të Kevin Durant për te Golden State. Shtatlarti amerikan hodhi firmën në kontratën që do ta mbajë te ekipi aktual edhe për tre vitet e ardhshme, duke marrë përsipër detyrën e vështirë për të udhëhqeur City Thunder në epokën e re. Në konferencën për shtyp pas zyrtarizimit të marrëveshjes, Westbrook u shpreh se ky vendim nuk ishte aspak i vështirë pasi ai është pjesë e Oklahomas që në moshën 18-vjeçare dhe mbetet shumë i lidhur me qytetin dhe skuadrën. Në vijim ai bëri një koment edhe për lamtumirën e Durant.

“Kemi ndjekur rrugë të ndryshme por unë jam i fokusuar te skuadra ime dhe e dua shumë këtë ekip, fansat dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Ky është vendi ideal për mua dhe mendoj se jam pjesë e skuadrës që dashuroj. Dua të mendoj vetëm për t’u përmirësuar dhe për të gjetur mënyrën që skuadra jonë të ringrihet dhe të vazhdojë të fitojë ndeshje. Jam shumë i emocionuar dhe mezi po pres që sezoni të fillojë sa më shpejt”.

Shtatlarti i koshit amerikan nënshkroi një kontratë faraonike nga e cila do të fitojë plot 85.7 milionë Euro në vit. Westbrook është një nga lojtarët më të spikatur të NBA ku ka arritur të sigurojë një vend edhe në 5 finale të All Star Game. Mesatarja e tij është 23.5 pikë, 7.8 ribaunde dhe 10.4 asiste për ndeshje. Gjatë gjithë karrierës ai është krahasuar me shokun e skuadrës, Kevin Durant dhe të dy bashkë arritën ta ngjitnin skuadrën deri në finalen e Konferencës së Perëndimit gjatë sezonit të shkuar.

 

Raporti:Supersport.al

Artikulli paraprakVarmaelen i Romës
Artikulli tjetërPërgjaket Rio, vritet një grabitës