Dy vjet skualifikim nga aktiviteti. Ky është dënimi për portierin e Long An, Nguyen Minh Nhut, që në ndeshjen e luajtur disa ditë më parë përballë Ho Chi Minh City protestoi ndaj vendimit të arbitrit, duke refuzuar të priste penalltinë e kundërshtarëve.

11-metërshi i dyshimtë i akorduar në minutën e 80-të të lojës, kur rezultati ishte në barazim 2-2, u shoqërua me kontestime nga skuadra mike.

Madje, ekipi u largua nga fusha e lojës, për t’u rikthyer përsëri disa çaste më pas. Megjithatë, vendimi nuk ndryshoi edhe penalltia u godit.

Në momentin e ekzekutimit, portieri Nhut i ktheu shpinën topit dhe vendasit kaluan në avantazh. Ekipi i Long An praktikisht e braktisi ndeshjen, duke mos bërë asnjë veprim në fushë, ndërsa kundërshtarët e tyre realizuan edhe dy gola të tjerë duke fituar me rezultatin 5-2.

Portieri që refuzoi të priste penalltinë, ashtu si edhe kapiteni i skuadrës mike, Thanh u pezulluan për dy vjet nga futbolli, ndërsa ndëshkimi për trajnerin ishte tre vjet skualifikim.

Federata e Vietnamit i argumentoi dënimet si “mungesë respekti ndaj vendimit të arbitrit, me veprime që i shkaktuan dëme reputacionit dhe nderit të Federatës”./SS/.

Artikulli paraprak8 strategjitë e Florentino Perez për të nënshkruar me “Galacticos”
Artikulli tjetërJa pesë alternativat e Leicester për trajner të ri