Spali shkakton surprizën e javës në Serie A duke ndalur në “Paolo Mazza” Juventusin e Max Allegrit që vinte në këtë takim pas 12 fitoresh radhazi. Një barazim pa gola, që i shkon përshtat Napolit, që nesër pret në “San Paolo” ekipin e Genoa. Me këtë barazim Spali ngjitet përkohësisht në vend të 17-të në kuotën e 25 pikëve, një më shumë, se Crotone që ndjek nga pas. Nga ana tjetër Juve shkoi në kuotën e 75 pikëve, 5 më shumë se Napoli, që ka një ndeshje më pak.
45’ minutat e para u mbyllën në barazim, por me “Zonjën e Vjetër”, që dominoi kundërshtarin. Rastet e rrezikshme nuk munguan si nga Spal ashtu edhe nga Juve, por ky fraksion u mbyll me rrjeta të paprekura. Paulo Dybala dhe Gonzalo Higuain dështuan ta dërgonin sferën në rrjetë.
Edhe në pjesën e dytë Juventusi është ekipi që bën ligjin në fushë. Bardhezinjtë e dominojnë në çdo aspekt kundërshtarin, por nuk arrijnë të shënojnë. Portieri Meret bëri disa pritje shpëtimtare duke i thënë “Jo” golit dhe mbush me optimizëm shokët e skuadrës, se mund të sigurojnë qëndrimin në sallonin e madh të futbollit italian.
Në ndeshjen tjetër të pasdites Sassuolo mposhti me rezultatin 2-1 në transfertë ekipin e Udinese. Me këtë sukses Sassuolo largohet përkohësisht nga zona e ftohtë, edhe pse rreziku për të zbritur një kategori më poshtë është i madh.