Inter-i i Stefano Pioli-t vazhdon të jetë me dy fytyra. Pas barazimit pozitiv në derbi ka ardhur humbja befasuese (nga 0-2 në 3-2) në Europa League kundër izraelitëve të Hapoel Beer Sheva. Një humbje kjo e fundit që është pasuar nga fitorja 4-2 ndaj Fiorentina-s të hënën e kaluar. Ndërsa sot në mbrëmje ka ardhur një kapitullim pa kushte në fushën e Napoli-t, që ka fituar 3-0 takimin duke dominuar nga fillimi deri në fund. Ky rezultat i lë zikaltrit në vendin e tetë në kampionat në kuotën e 21 pikëve, 8 më pak se vendi i tretë, që mbahet nga Milan dhe që siguron kualifikimin në Champions League.

Sfida e luajtur në “San Paolo” nuk ka pasur histori. Vendasit kanë siguruar një avantazh prej dy golash në pesë minutat e para dhe nuk e kanë kthyer më kokën mbrapa. Në minutën e dytë ka qenë Zielinski ai që ka zhbllokuar takimin edhe falë bashkëpunimit të mbrojtjes zikaltër, që nuk ka arritur të bllokojë një goditje të dobët të napolitanit. Tri minuta më vonë Marek Hamsik ka dyfishuar avantazhin me një goditje të saktë brenda zonës së rreptësisë. Zikaltrit kanë pasur mundësi të ngushtojnë diferencat me Icardi, por sulmuesi argjentinas nuk është treguar i saktë para portierit Reina. Në pjesën e dytë ka ardhur edhe goli i Insigne, që ka fiksuar rezultatin në 3-0.

Artikulli paraprakLewandowski-Robben përmbysin Mainz, Bayern rimerr kreun
Artikulli tjetërGjermanët të parët ne evropë: 4 zëvendësime në ndeshje