Barcelona arriti të fitonte ndeshjen përballë Depotivo La Korunjës me rezultatin 4-2, ndeshje në të cilën katalanasit u shpallën matematikisht kampionë të Spanjës por herë të 25-të në histori. Nga ana tjetër, Deportivo e drejtuar nga Sedorf ra nga kategoria duke u detyruar që sezonin tjetër të luajë në Segunda Division.
Në një prononcim pas ndeshjes, tekniku i Barcelonës Ernest Valverde u shpreh i lumtur për triumfin e tij, por në të njëjtën kohë tregon se ndihet keq që titulli u fitua në një ndeshje ku kundërshtari ra nga kategoria. Ai tha se do të donte ta fitonte titullin duke u përballur me një rival ose me një skuadër që nuk rrezikonte asgjë.
“Rënia e Deportivos më ka bërë që të ndihem pak keq. Do të doja që titullin ta fitoja në një ndeshje me rival direkt ose me një skuadër që nuk ka asgjë për të humbur. Festimi i titullit duke ndëshkuar kundërshtarin në atë mënyrë të dhemb shumë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë pasi kështu e ka futbolli.
Gjëja më e rëndësishme është që të mos lodhem duke fituar, por të vazhdoj të fitoj sërish dhe të mbaj këtë ritëm duke ditur për të menaxhuar situatat e ndryshme”, u shpreh Valverde.