Napoli do të luajë në strofkën e “Pleshtit” të shtunën në mbrëmje, por nëse nisemi nga pseudonimi i të zotit të shtëpisë, ndoshta më shumë sesa frikë, dikush që nuk e di se për kë bëhet fjalë mund të qeshë, por kur mendon se “Pleshti” është Lionel Messi, atëherë të dridhurat të vijnë vetvetiu.

Ndeshja e kthimit të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, pas barazimit 1-1 në “San Paolo”, do të jetë një 90- minutësh shumë i gjatë për Napolin. Madje, kur mendon se ndaj ekipeve italiane ka shënuar 12 herë, ndër të cilët 10 në “Camp Nou”, por asnjëherë ndaj të kaltërve, pa dyshim që ky është një stimul më shumë për argjentinasin, që të ketë një marsh më shumë të shtunën.

VIKTIMAT E PREFERUARA

Skuadrat italiane janë vetëm të tretat, për sa u përket viktimave të preferuara të Lionel Messit. Ai u ka shënuar atyre, siç thamë, 12 gola, ku më i godituri ka qenë Milani, të cilit i ka shënuar 8 herë, Juventusit 2 herë dhe po kaq edhe Romës. Italianët që kanë shpëtuar nga “kafshimi” i Leos kanë qenë Interi, Napoli pikërisht dhe Udinese. Ndërkohë, preja e tij e preferuar janë anglezët, të cilëve u ka shënuar 26 gola në 34 ndeshje (17 gola në “Kamp Nou”), ndërsa të dytët janë ekipet gjermane që kanë pësuar 17 gola nga “Pleshti” në 16 përballje (13 gola në “Camp Nou”).

GOLI I 100-të NË 21:00

Por duke mbetur te Messi, vetia e sulmuesit të Barcelonës është që të transformohet në një “ujk” të zonës rivale, sa herë që hëna del mbi “Camp Nou”. Një statistikë shumë interesante që sjell në vëmendje “Sport.es” është fakti se Messi do të kërkojë ndaj Napolit golin e 100-të në karrierë, për sa u përket ndeshjeve që luhen në orën 21:00, që është edhe orari i ndeshjes së të shtunës. Deri tani ndeshjet e luajtura në 21:00 kanë qenë 110 dhe bilanci është fantastik për Barcelonën, por në të njëjtën kohë konvertohet në një makth të vërtetë për Napolin: 82 fitore (74.5 për qind fitore), 14 barazime dhe 14 humbje, me një mesatare prej 0.9 golash për ndeshje.

FAKTORI “CAMP NOU”

Përveç faktit se Messi di se si goditen ekipet italiane dhe faktorit të orës 21:00, një tjetër statistikë pro Messit dhe Barcelonës janë ndeshjet e Champions-it që “Pleshti” luan në “Camp Nou”. Deri më sot ai ka luajtur në muret e shtëpisë 66 takime, në të cilat numëron 67 gola. Ose e thënë ndryshe, një mesatare shënimi prej 1.01 golash për ndeshje. Për më shumë, ka fituar 50 nga 66 ndeshjet e luajtura, me një përqindje prej 75.7 fitoresh, ndërkohë që humbjet janë vetëm 3 për qind. Me pak fjalë, Napoli është i paralajmëruar.

/Panorama Sport

Artikulli paraprakJuventus ka kontaktuar trajnerin e madh nëse Sarri shkarkohet
Artikulli tjetërDzeko sonte ka rastin ta heq një “njollë” në karrierën e tij