Përfaqësuesja U-21 e Kosovës do të ballafaqohet me kundërshtarë të fortë në kualifikimet e Kampionatit Evropian për të rinj. Ekipi i Rafet Prekazit do të ketë punë me fuqinë e Gjermanisë, Izraelin, Norvegjinë, Irlandën dhe Azerbajxhanin. Kampanja kualifikuese nis në mars, ndërsa përzgjedhësi thotë se shumë shpejt do të fillojë të bisedojë me lojtarë për t’i afruar në ekipin e tij. Nga ekipi U-21 varet shumë e ardhmja e Përfaqësueses A

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës do të ketë punë shumë të vështirë në kualifikimet e Kampionatit Evropian, “Italia 2019”.

Shpresat e Kosovës do të ballafaqohen me fuqinë e futbollit, Gjermaninë, pastaj me Izraelin, Norvegjinë, Irlandën dhe Azerbajxhanin.

Këtë grup e caktoi shorti i cili u tërhoq të enjten në Nyon. Cikli kualifikues do të fillojë më 20 mars, ndërsa do të përfundojë më 16 tetor të vitit të tjetër.

Në “Italia 2019” do të kualifikohen ekipet fituese të nëntë grupeve kualifikuese, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërkohë, katër ekipet më të mira që përfundojnë në pozitat e dyta të grupeve do luajnë në “Play-Off” dhe dy fitueset e tyre do t’iu bashkohen nëntë shteteve tjera në Kampionatin Evropian U-21, i cili mbahet në verën e vitit 2019 në Itali.

Prekazi: Vështirë, por nuk dorëzohemi

Përzgjedhësi i Përfaqësueses U-21 të Kosovës, Rafet Prekazi, i vlerëson lart kundërshtarët e ekipit të tij në kualifikimet e Kampionatit Evropian, sidomos Gjermaninë.

Por, seleksionuesi kosovar paralajmëron se ekipi i tij nuk do të debutojë me “flamur të bardhë” në arenën ndërkombëtare.

“Dihet niveli i vendeve si Gjermania, Spanja, Italia, Anglia, Franca. Sidoqoftë, ne e kemi kërkuar anëtarësimin në UEFA dhe tash e tutje duhet të ballafaqohemi me sfida të tilla”, deklaroi Prekazi për “Zërin”.

“Gjermania është favorite, por ashtu do të ballafaqohemi me kundërshtarët tjerë të fortë. Por, edhe ne kemi të drejtë të kemi ambicie. Mirëpo, gjithnjë duhet të jemi realistë, sepse duke qenë realistë mund të arrijmë më lehtë dhe më shpejt deri te gjërat e mira”, theksoi Prekazi.

Prekazi: Së shpejti, seleksionimi i futbollistëve

Rafet Prekazi shpreson që ta bëjë një përzgjedhje sa më të mirë të futbollistëve që do t’i mbrojnë ngjyrat e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian U-21.

Madje, seleksionuesi kosovar theksoi se në këtë drejtim do të bashkëpunojë ngushtë jo vetëm me ndihmësit e tij, por edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe me përzgjedhësin e përfaqësueses A, Albert Bunjaki.

“Ende nuk e dimë se me cilët futbollistë do të debutojmë. Unë dhe kolegët e mi e kemi një listë me emra të futbollistëve, të cilët luajnë për ekipe shumë të mira. Disa nga ta kanë luajtur edhe për ekipet U-17 apo U-19 të shteteve tjera. Sigurisht se do të bisedojmë me ta. Nga e hëna, bashkë me FFK-në, do t’i bëjmë planet dhe do t’i nisim punët më intensive, sepse kemi punuar edhe deri më tani”, është shprehur Prekazi, ekipi i të cilit ka nevojë për komponim.

“Ne i kemi zhvilluar disa ndeshje, kryesisht nëpër turne. Pas anëtarësimit në UEFA FFK-ja na ka mundësuar edhe një kamp në Durrës”, pohoi Prekazi.

A do të ftohen kosovarët e Shqipërisë U-21?

FSHF-ja këtë herë ka angazhuar futbollistë kosovarë në të gjitha ekipet e saj, përfshirë edhe Kombëtaren U-21, shkruan Zëri.

Madje, përzgjedhësi Alban Bushi po vazhdon të ftojë futbollistë kosovarë në ekipin e tij edhe pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

Por, seleksionuesi kosovar, Rafet Prekazi, tash për tash nuk është në gjendje të thotë nëse do të ftohen ata në ekipin e tij për kualifikimet e Evropianit U-21.

“Sa u përket futbollistëve kosovarë të Shqipërisë, dihet se situata është më specifike. Unë, por as FFK-ja, kurrë nuk u kemi thënë futbollistëve mos shkoni. Ndërsa, sa i përket asaj se a do t’i ftojmë, unë jam trajner, kurse FFK-ja ka politikat e saj, dihen marrëdhëniet e saj me FSHF-në”, tha Prekazi.

Artikulli paraprakVIDEO +18/ Pamje horror, basketbollisti: Ja çfarë më ndodhi kur më doli syri nga vendi
Artikulli tjetërNadal në finale pas duelit të vështirë dhe të lodhshëm ndaj Dimitrov