Ecuria e Paris Saint-Germain prej 8 fitoresh radhazi në ndeshjet e kampionatit të luajtura në transfertë, më e mira e PSG në historinë e Ligue 1, është ndalur mbrëmjen e sotme në fushën e Nice. Balotelli me shokë i kanë shkatuar “Les Parissiennes” humbjen e parë në kampionat pas 16 ndeshjesh, gjatë të cilave ekipi i Emery ka marrë 14 fitore dhe dy barazime.

Ky rezultat, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje nga fundi i kampionatit, mund t’i kushtojë titullin kampionëve në fuqi, të cilët kanë tri pikë më pak dhe një ndeshje më shumë se Monaco e vendit të parë. Gjithashtu, tani ata duhet të ruhen pikërisht nga Nice që ka shkuar në kuotën e 77 pikëve, vetëm tri larg PSG.Ka qenë Mario Balotelli ai që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 26-të me një goditje të bukur me të majtën. Ky ka qenë goli i tij i 14-të në Ligue 1, ecuria e tij më e mirë që nga sezoni 2013-14, kur ka realizuar të njëjtin numër golash me fanellën e Milan-it.

Në pjesën e dytë, kur pritej një reagim nga miqtë, ka ardhur edhe goli i dytë i vendasve. Autori i golit ka qenë Ricardo,i cili ka befasuar portierin Trapp me një goditje të mrekullueshme me të majtën në minutën e 48-të. Ndeshja, gjithsesi, nuk është mbyllur pas këtij goli, pasi Parisi ka ngushtuar diferencat në të 64-në me Marquinho-s dhe katër minuta më vonë ka shkuar afër barazimit me Meunier, por Cardinale ka arritur ta devijojë topin në momentin e fundit.

Portieri i kuqezinjve ka qenë protagonist edhe në minutën e 76-të, kur i ka mohuar një gol të sigurt Thiago Silva-s. Në minutën e 90-të PSG ka mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Thiago Motta. Në minutën e 92-të më vonë ka ardhur goli i tretë i Nice,i realizuar nga Donis, teksa për miqtë ka ardhur një tjetër karton i kuq, i marrë nga Di Maria.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here