Në futbollin austriak ka nisur gjithmonë e më shumë të marrë vëmendje e ashtuquajtura “mafia shqiptare e basteve”. Kjo, falë daljes në dritë të fakteve të rënda për manipulimin e rezultateve sportive, në një hetim të Prokurorisë së Klagenfurtit.

Një ish-futbollist nga Gjermania u dënua këtë të enjte për trukimin e ndeshjeve, ndërsa në dëshminë e tij, ai nënvizoi se ishte kontaktuar nga shqiptarët e nëntokës së krimit për të marrë përfitime ilegale.

Çështja e nisur në vitin 2014 solli dënimin e protagonistit të Bundesligës, Dominik Taboga, dhe lojtarit tjetër Zanel Kuljiç, që akuzohen se në të paktën 10 raste kanë tentuar, ose kanë arritur të paracaktojnë ndeshjet e futbollit në Bundesligën austriake.

Edhe pse nuk bëhen të ditur emra, për shkak të hetimit që pritet të nxjerrë në dritë të tjera detaje, mediet austriake ia faturojnë gjithçka krimit të organizuar nga Ballkani, e në veçanti shqiptarëve.

Dy prej ndeshjeve të trukuara u zhvilluan në tetor të vitit 2010 dhe një tjetër në dhjetor të vitit 2011. Në skemën e rindërtuar nga organet e drejtësisë, një dëshmitar tha se kishte shërbyer si përkthyes në një rast trukimi, kur ishte i pranishëm në dorëzimin e një valixheje plot me parà, në duart e gruas së një agjenti shqiptar futbolli.

/ Top Channel

Artikulli paraprakMourinho ‘mbyll syrin’: Futbolli turk është plotë pasion, njëri me pasion jam edhe unë…
Artikulli tjetërZyrtare: Dënohet Shqipëria, ja arsyeja?