Në një atmosferë të bukur sportive dhe në sallën e mbushur përplot, Vëllaznimi e Trepça kanë zhvilluar të shtunën mbrëma derbin e xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Në fund festuan mitrovicasit, që kështu i dhanë fund serisë prej gjashtë fitoreve të skuadrës gjakovare.

Në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Trepça fitoi me rezultat 89:82.

Mitrovicasit e nisën ndeshjen më mirë dhe çerekun e parë e fituan 28:21. Në çerekun e dytë Trepça vetëm e rriti avantazhin. Edhe ky çerek përfundoi 28:21.

Cilësia e “xehetarëve” erdhi në shprehje edhe në çerekun e tretë, që përfundoi 20:16.

Në minutat e fundit lojtarët e Vëllaznimit u munduan të bëjnë kthimin e madh. U afruan në rezultat, por pa bërë përmbysje.

Jordy Tshimanga e Drilon Hajrizi ishin më të mirët te Trepça. Tshimanga i kishte 20 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Hajrizi kontribuoi në fitore me 15 pikë, dhjetë kërcime e katër asistime. Darnell Edge i kishte 15 pikë, gjashtë asistime e pesë kërcime. Kevin Bracy-Davis i kishte 14 pikë e gjashtë kërcime.

Samuel Sessoms ishte më i miri te Vëllaznimi me 20 pikë, nëntë asistime e pesë kërcime. Jalen Ray i kishte 13 pikë e gjashtë asistime. Ardit Pepaj ndeshjen e përfundoi me 15 pikë e katër kërcime. 15 pikë i kishte edhe Burim Zekiqi.

Trepça është e para në tabelë me 20 pikë. Vëllaznimi i ka 17 pikë, sa edhe Golden Eagle Ylli.

© KOHA. 

Artikulli paraprakFormacionet zyrtare: Milan-Frosinone
Artikulli tjetërPeja këtë herë tregon fytyrën e vërtetë