Trepça është fituese e Superkupës së Kosovës në basketboll. Në finalen dramatike, të dielën në Suharekë, Trepça e mposhti Pejën me rezultatin e ngushtë, 78:76.

Finalja e Superkupës është përcjellë me incidente të rënda e tensione të shumta.

58 sekonda para fundit të pjesës së parë, ndeshja është ndërprerë. Ndërprerja zgjati për më shumë se 40 minuta. Fillimisht trajneri i Pejës, Rami Hadar, e tërhoqi skuadrën e tij në zhveshtore. Lojtarët e Pejës u kthyen pas pak minutash, por më pas arbitrat u kërkuan skuadrave që të largohen për në zhveshtore për shkak të hedhjeve të gjësendeve. Nga palestra u larguan tifozët e Trepçës, ndërsa në palestër deri në fund mbetën tifozët e Pejës.

Në fakt, drejtues të Federatës së Basketbollit të Kosovës ditë më parë kanë deklaruar se nuk do të lejohen grupet e organizuara të tifozëve në palestra. Por si Trepça ashtu edhe Peja kishin përkrahjen e tifozëve në finalen e Superkupës.

Me të përfunduar ndeshja, incidente tjera kanë pasur. Kishte hedhje të mjeteve tymosëse e po ashtu karrige. Ka pasur edhe përplasje mes shikuesve të të dy skuadrave. Ndonëse tifozët e Trepçës ishin larguar, disa prej tyre ia dolën ta përcjellin ndeshjen nga palestra deri në fund.

Për shkak të përplasjeve të shumta dhe tymit në palestër, ceremonia e ndarjes së trofeut është shtyrë për kohë të gjatë.

Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos në aksionet e fundit.

ishte në epërsi deri në minutën e 32-të, kur Peja kaloi para, 61:59, me pikët e Malcolm Armstead. Më pas pejanët u shkëputën, 69:62 e 75:68. Drilon Hajrizi shënoi për të ngushtuar rezultatin në 75:71 dhe u kthye në lojë. 1.08 sekonda para fundit, Kevin Davis i Trepçës shënoi për 76:76. Ndërkohë 28 sekonda para fundit, Drilon Hajrizi realizoi dy gjuajtje të lira për 78:76. Peja nuk realizoi më pas dhe festa e përcjellë me incidente u takoi mitrovicasve.

Kevin Davis ishte më i miri te Trepça me 16 pikë, tri kërcime e tri asistime. Drilon Hajrizi i kishte 13 pikë e pesë kërcime, ndërsa Jordy Tshimanga i realizoi 11 pikë e tetë kërcime. 16 pikë e gjashtë kërcime i kishte Isaiah Ross, ndërsa Dardan Kapiti kontribuoi me katër pikë, gjashtë kërcime e tri bllokada.

Jacob Calloway ishte më i miri te Peja. Ai ndeshjen e mbylli me 14 pikë e tetë kërcime. Justin Davis i kishte 16 pikë e shtatë kërcime. Meriton Ismaili kontribuoi me 10 pikë e tri kërcime.

Peja është kampione në fuqi, ndërsa Trepça është fituese e Kupës dhe tani edhe e Superkupës.

Deri në finale të Superkupës, Trepça arriti pas fitoreve ndaj Bashkimit dhe Sigal Prishtinës. Peja kishte mposhtur Prizrenin dhe Golden Eagle Yllin.

Turneu i Superkupës paralajmëron një kampionat rivalizues, por edhe me incidente. Incidente të shumta kishte edhe kampionatin e kaluar dhe kjo vazhdoi edhe në turneun e Superkupës.

Artikulli paraprakArsenali fitoi pas 5 vitesh në Goodison Park
Artikulli tjetërRoma më e mirë e viteve të fundit, 7 copa ndaj Empolit