E përditshmja sportive italiane La Gazzetta Dello Sport i ka kushtuar sot një artikull të veçantë futbollit të të rinjve, duke u përqendruar te puna që po bën Paolo Tramezzani, zëvendës trajneri i kombëtares shqiptare dhe njëkohësisht shef i Sektorit Teknik në FSHF
Ky i fundit ka zbërthyer mënyrën se si po rekrutohen talentet shqiptare në të gjithë Evropën, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre gjendet në Itali, shkruan Panorama Sport.
Tramezzani i ka treguar të përditshmes sportive italiane se janë 138 futbollistë shqiptarë të evidentuar në akademitë italiane, të cilët Federata Shqiptare e Futbollit po i ndjek me vëmendje, duke planifikuar seanca grumbullimesh me ta gjatë vitit në vazhdim.
Këta futbollistë i përkasin ekipeve U-17 dhe U-20 të klubeve italiane, të shpërndarë në të gjithë Gadishullin Apenin, lojtarë të cilët janë ndjekur nga afër edhe në të kaluarën, apo emra që mund të bëhen pjesë e përfaqësueseve të moshave shqiptare para se të synojnë t’i bashkohen asaj A.
Dy javë më parë, pas ndeshjes së kombëtareve U-17 të Italisë dhe Shqipërisë, përgjegjësi i kombëtares italiane deklaroi se rritja e numrit të të rinjve shqiptarë në akademitë italiane ishte shqetësues. “Pyes veten nëse po punojmë për veten apo për ta”, ishte alarmi i tij.