Trajneri i Romës, Di Francesco, pas eliminimit në gjysmëfinale të Champions League u shfaq tejet i trishtuar, pasi skuadra e tij nuk arriti të shënonte edhe një gol më shumë (fitoi 4-2).
“Kur bën shumë gabime, nuk ka pse të ketë keqardhje. Të mos harrojmë se ishte eksperienca ime e parë në Champions League dhe Roma nuk është mësuar me të tilla ndeshje. Bëmë shumë, por mund të bënim edhe më tepër.
Jam i trishtuar, sepse duhet të besonim më shumë. Në pushim të ndeshjes iu thashë lojtarëve se i shënuam 3 gola Barcelonës, ndaj mund t’i shënoim 4 Liverpoolit, pa pikë dyshimi.
Megjithatë, lojtarët bënë diçka të jashtëzakonshme. Nuk është e thjeshtë që të shkosh në disavantazh dhe të reagosh. Kemi bërë një ndeshje gati perfekte, atë që nuk bëmë në Angli.
Tani duhet të kthehemi më të fortë në Champions sezonin tjetër”, tha Di Francesco, trajneri i Romës, që për gjykimin u tregua më i butë: “Nuk mund të akuzosh gabimet arbitrare. Ishim në fushë dhe mund të bënim diçka më shumë. Sigurisht ishte penallti dhe karton i kuq për Liverpool kur kishin mbetur edhe 20 minuta nga fundi. Por nuk na e akorduan për fat të keq. Por edhe ne bëmë disa gabime në fushë”.