Niko Kovac, trajneri i ardhshëm i Bayern Munchen do të “prezantohet” nesër në “Allianz Arena”, pikërisht si trajner i Eintracht Frankfurt.

Bavarezët do të presin Frankfurtin në shtëpi për ndeshjen e radhës në kampionat, një sfidë e veçantë për Kovac.

“Ajo që më intereson për momentin është si ta mund Bayernin”, tha trajneri i Frankfurt, Niko Kovac në konferencën për shtyp, ndërsa shtoi: “Rëndësi ka vetëm harmonia”.

Nuk është planifikuar ndonjë takim me bosët e Bayernit pas ndeshjes, teksa Kovac deklaroi: “Do të takoj për pak minuta prindërit që jetojnë në Mynih”.

Frankfurt po lufton për një vend në Europa League dhe kundër Bayernit do të jetë si një finale për të. “Bayern do të dalë në fushë me ekipin e dytë. Do të ketë një dinamikë tjetër kjo ndeshje”.

Niko Kovac, si futbollist ishte pjesë e Bayern Munchen nga sezoni 2001 deri në 2003, ndërsa numri 2 i klubit bavarez, Karl-Heinz Rummenigge u shpreh: “Niko është tejet ambicioz, gjithmonë i ndjeshëm për ide të reja”. Përveç kësaj, Kovac e njeh ADN-në e Bayernit, kështu që Rummenigge vazhdon: “Ai e di se si funksionon klubi ynë”.

Heynckes gjithashtu komentoi pozitivisht mbi pasardhësin e tij. “Është një trajner i ri i cili dëshiron të fitojë gjithçka”.

Artikulli paraprakRed Bull me krahë në Azerbajxhan, Vettel është larg
Artikulli tjetërKonfirmohet për 29 maj miqësorja Shqipëri– Kosovë