Trajneri më i trofeshëm kosovar, Afrim Tovërlani ka folur për klubet që investuan shumë për të dalë kampion në Vala Superligë.

Sipas tij, nganjëherë nuk mjafton vetëm investimi.

“Do ta kisha ndarë në dy pjesë. Vjeshta rivalizuese, kurse pranvera dorëzim apo dështim i disa pretendentëve për titull. Këto klubet harxhuan shumë më shumë se sa vitet e kaluara, por nuk kishte strategji dhe plan”, është shprehur Tovërlani për Gazeta Olle.

Tutje, ai foli për Dritën, duke thënë se me meritë doli kampione.

“Drita po mendoj se e ka merituar titullin. Rastin ia dha Prishtina e cila gaboi në shumë ndeshje në pranverë. Mos harroni se nuk ka qenë vendimtare ndeshja e fundit me Dritën. Prishtina në pranverë dy herë barazoi me Vëllaznimin, një herë me Trepçën ’89 dhe një herë me Feronikelin dhe humbi nga Drenica. Pra, llogaritni se sa pikë ka humbur. Prishtina ishte katër pikë para Dritës në 10-të xhirot e fundit dhe për tre ndeshje me radhë doli në minus tre pikë ndaj Dritës. Edhe ndeshjen e fundit nuk pati guxim që të sulmojë për fitore, por vazhdoi me lojë të kujdesshme dhe e frikësuar. Nuk fitohet titulli me frikë. Pikë”.

Tovërlani pritet që gjatë kësaj vere të bëhet me skuadër, pasi nuk i mungojnë ofertat.

Artikulli paraprakKloppi flet për lëndimin e Salahut dhe gabimet e Kariusit
Artikulli tjetër‘Qershia mbi tortë’, Real Madrid merr urim special nga Barcelona