Mund të shkonte te Real Madridi, Juventusi, PSG-ja apo Evertoni, përfundon te Tottenham! Mesfushori Moussa Sissoko më në fund lë skuadrën e cila militon në Championship, Newcastle United, për të kaluar te një skuadër në Premier League. Francezi ka firmosur për pesë vite në “White Hart Lane”. 27-vjeçari ka kohë që kërkon zyrtarisht të largohet nga skuadra e rënë në kategorinë e dytë të futbollit në Angli dhe tani ka siguruar një lëvizje fantastike nga “St. James’ Park”.
Sipas asaj që zbulon “Goal”, Tottenham ka paguar rreth 30 milionë paundë për lojtarin e kombëtares franceze, i cili shkëlqeu në Kampionatin Evropian 2016. “Jam shumë i lumtur të jem këtu. Do të jap gjithçka dhe shpresoj të fitojmë plot ndeshje dhe tituj”, – ishin fjalët e para të mesfushorit si pjesë e klubit të ri. Sissoko është blerja e tretë e ditës së fundit në skuadrën e teknikut Mauricio Pochettino, bashkë me Georges-Kevin N’Koudou dhe Pau Lopez.