Gara për titullin kampion në Spanjë është bërë akoma më emocionuese pas triumfit të Barcelonës në “Santiago Bernabeu”, duke lënë gjithçka të hapur deri në fund. Në fakt, Reali i Madridit e ka në dorën e vet mundësinë për të ngritur trofeun kombëtar në fund të edicionit, pasi ka një ndeshje më tepër për të zhvilluar në krahasim me kundërshtarin direkt, i cili aktualisht gëzon të njëjtën kuotë pikësh.

Deri në fund të edicionit, skuadrës së trajnerit Zinedin Zidan i falet edhe një barazim, në rast se katalanasit arrijnë të fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura. Elementi penalizues ka të bëjë me rastin nëse ekipet e mbyllin La Liga-n në kuotë të barabartë pikësh dhe në këtë rast është Barça që shpallet fituese. Skuadra e Luis Enrikes ka si bonus duelet direkte, duke qenë se takimi i luajtur në “Kamp Nou” përfundoi në barazim 1-1, ndërsa ai i së dielës që kaloi u mbyll me triumfin e katalanasve 3-2.

REALI
Madrilenët kanë më tepër ndeshje në transfertë sesa në shtëpi. Saktësisht do luajnë katër herë jashtë fushës së tyre dhe dy herë para tifozëve merenges. Madje, të dy përballjet në “Bernabeu” janë delikate, pasi presin ekipe të forta si Valencia e Sevilja. Kurse në transfertë, duhet të marrin maksimumin ndaj Deportivos, Granadës, Selta Vigos dhe Malagës.

BARCELONA
Në rast se Lionel Mesi me shokë nuk marrin maksimumin e pikëve në pesë javët e mbetura, jo vetëm që do kenë shumë pak shpresa për titullin, por do ishte një dështim i paparashikuar. Kalendari është në favorin e tyre, pasi luajnë tri herë në shtëpi (Osasuna, Vijareal, Eibar) dhe dy duele jo shumë të vështira në transfertë (Espanjol dhe Las Palmas).

Raporti: Panorama Sport

Artikulli paraprakDonnarumma largohet? Kush tha!
Artikulli tjetërInteri nis revolucionin e madh, largohen 13 lojtar