Pep Guardiola pranon se jeta e Premier League ka qenë një “mësim i madh” për të. Ai mendon se tashmë është “një trajner më i mirë”, pavarësisht dështimit për të siguruar “argjend” me Manchester City, në sezonin e parë.

Trajneri katalanas nuk e ka diçka të zakonshme për ta përfunduar sezonin duarbosh, pasi nuk i ka ndodhur kështu më parë, në stolin e Barcelonës dhe Bayern Munich. Guardiola, megjithatë, mendon se përvoja e tij te Manchester City e bën atë trajner më të mirë, ndërsa shikon përpara dhe vazhdon të punojë drejt qëllimeve afatgjata.

“Unë nuk jam një trajner më i keq, sepse nuk kam fituar titullin, – tha ai për “Sky Sports”. – Përkundrazi, ndihem sikur jam trajner më i mirë se më parë, sepse kam mësuar shumë në këtë vit të parë në Premier League, kam fituar më shumë përvojë. Kam mësuar të merrem me situatat edhe më mirë se më parë.

Normalisht, kur ndodh diçka për herë të parë, mbetet në mendje, kështu që mbetja pa asnjë trofe pas nëntë vitesh të suksesshme nuk është gjë e mahnitshme. Në Spanjë ka ekipe fantastike, që nuk do të fitojnë asgjë këtë vit, por kjo do të ndodhë në të gjithë Europën. Unë pres që të kem një karrierë të gjatë si trajner dhe kjo situatë do të ndodhë përsëri, një vit tjetër. Tashmë nuk jam në një klub, që ka fituar shumë tituj, si Barcelona, ​​Bayern Munich, Real Madrid, Inter, Juventus apo Milan. Pra, kjo është arsyeja pse duhet të zbulojmë diçka të re. Po përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe të fitojmë tituj, si klubet e Manchester United, Chelsea dhe Liverpool, që kanë më shumë histori se Manchester City në Premier League. Kjo është arsyeja pse vendosa të vij këtu. Eksperienca e deritanishme në “Etihad” ka qenë një mësim i madh për mua. Prandaj, po mendoj për atë që nuk kemi bërë mirë dhe do të marrim vendimin e duhur për t’u përmirësuar në sezonin e ardhshëm”./Telesport.

Artikulli paraprakDe Rossi pendohet për diçka në karrierë: Do më pëlqente të jetoja….
Artikulli tjetërFelipe Melo, bokson kundështarin (VIDEO)