Skuadrat mysafire kanë mbizotëruar në katër ndeshjet e javës së 24-t në Vala Superligë që u zhvilluan sot. Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli ka shënuar fitore me rezultat bindës si mysafire në duel me Ferizajn, me shifrat 4:0. Golat për Feronikelin i shënuan Labinot Osmani (66’, 90’+), Mentor Zhdrella (73’) dhe Blerand Kurtishaj (89’). Fitore me rezultat ka shënuar edhe Prishtina në Gjilan, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 3:1. Shënues i trefishtë për Prishtinën ishte Basid Khalid, që e dërgoi topin në rrjetë në minutat 51’, 55’ dhe 86’, derisa golin e vetëm për Dritën e realizoi Alban Shillova (88’). Me të njëjtin rezultat 1:3 fitoi edhe Llapi në Mitrovicë në përballje me Trepçën, me golat e shënuar nga Krasniqi, Shaqiri dhe Daku, derisa golin e vetëm për mitrovicasit e realizoi Zabërgja. Ndërkohë, fitoren me rezultatin më bindës e realizoi Besa, e cila e mposhti Hajvalinë në Kizhnicë, me rezultat 6:1. Tre gola i shënoi Qemajl Elshani (36’, 85’, 89’), kurse me dy gola kontribuoi Xhevdet Shabani (28’, 41’) dhe me një gol Leart Emini (44’), derisa golin e nderit për Hajvalinë e shënoi Vilson Morina (46’).

Artikulli paraprakLajmi fundit: Humbje e dyfishtë e Ferizajt
Artikulli tjetërMilan befason të gjithë, synon mbrojtës nga kampionati i Turqisë