Luis Suarez do të qëndrojë te Barcelona deri në vitin 2022.

Ai që e konfirmoi këtë lajm është presidenti i klubit katalanas, Josep Maria Bartomeu, në një intervistë për median uruguajane.

“Rinovimi i kontratës me Luis Suarezin është fakt i kryer. Mungon vetëm zgjidhja e disa detajeve të vogla. Në Barcelonë të gjithë e duan Suarezin dhe ai është shumë i lidhur me klubin. Në ditët apo javët e ardhshme do të bëhet edhe zyrtarizimi i zgjatjes së kontratës me të. Kohëzgjatja e kontratës së re do të jetë sipas ligjeve ekzistuese, por për momentin ai do të firmosë deri në vitin 2022. Do të na pëlqente që ai të qëndronte përjetë te Barcelona”, u shpreh Bartomeu.

Ndërkaq, Barcelona po përgatitet për një tjetër rinovim kontrate, atë me Lionel Messin. Sipas medias iberike, babai i sulmuesit argjentinas, Jorge Messi ka mbërritur në Barcelonë dhe shumë shpejt do të nisë bisedimet me drejtuesit e klubit katalanas për zgjatjen e kontratës së 29-vjeçarit, e cila skadon në verën e vitit 2018.

Artikulli paraprakEkskluzive: Trepça përforcohet me amerikanin Griffin
Artikulli tjetërBushi, trajner i Shpresave; Bogdani te 19-vjeçarët