Shoqata e Futbollistëve ka zbuluar një realitet të hidhur përsa i përket botës së futbollit. Nëpërmjet një studimi FIFPro ka bërë të ditur se lojtarët me makina dhe vila luksoze janë thjesht një imazh, dhe se pjesa më e madhe e futbollistëve përfitojnë një pagë shumë të ulët.

Por jo vetëm kaq, sipas këtij studimi ekzistojnë edhe probleme të tjera si vonesa në pagesë, apo edhe fenomeni i bulizmit e dhunës fizike. FIFpro bëri një anketim te 14 mijë lojtarë nga 54 vende të ndryshme të botës dhe 60% e tyre deklaruan se përfitojnë më pak se 2000 dollarë në muaj, ndërkohë që 4 ndër 10 të intervistuarit kanë deklaruar se kanë pasur vonesa në marrjen e pagës së tyre.

“Për të qenë i sinqertë, kjo situatë është më alarmante nga sa mendoja. Shpresoj që publikimi i këtyre shifrave të japë një sinjal të fortë te klubet dhe federatat për të ndryshuar gjendjen pasi nuk mund të vazhdohet kështu. Jo të gjithë lojtarët zotërojnë 3 makina me ngjyra të ndryshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i FIFPro, Theo Van Seggelen.

FIFPro bëri të ditur se studimi u krye në bashkëpunim me Universitetin e Manchesterit dhe përfshinte futbollin në vende të Europës, Amerikës së Veriut e Jugut dhe Afrikë. Sa u përket aspekteve të tjera, 10% e lojtarëve kanë bërë të ditur se kanë pësuar dhunë fizike në fushën e lojës, ndërsa 16% e tyre kanë deklaruar se janë kërcënuar.

 

/ Top Channel

Artikulli paraprakMourinho troket në dyertë e Chelsea-t!
Artikulli tjetërInter kërkon këmbëshpejtin e Chelsea, në garë futën edhe Atl. Madrid e Monaco