Nga java në javë, Trepça 89’ po thyen rekorde pozitive. Se është në formën më të mirë prejse ekziston si klub dëshmon edhe seria prej 8 fitoreve të njëpasnjëshme, duke thyer kështu rekordin e periudhës Mars – Prill 2014 me 6 fitore rresht.
Duke mos llogaritur fitoret zyrtare, 89-shi arriti fitoren më të thellë si mysafir në derbin e Mitrovicës ndaj Trepçës. Asnjëherë më parë skuadra e Veton Çitakut nuk e kishte mposhtur Trepcën në stadiumin “Adem Jashari” me më tepër se një gol diferencë.
Krejt situatë tjetër te Trepça që ka bërë startin më të dobët të një edicioni në Superligë, në historinë e vet. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që mitrovicasit të mos kenë asnjë fitore pas 11 javëve.
Kohëve të fundit, për Feronikelin ka rezultuar më vështirë të fitoi në “Rexhep Rexhepi” se sa në vizitë. Në 3 ndeshjet e fundit si mysafir ka pikë të plota duke shënuar 7 gola, ndërsa në 3 ndeshjet e fundit në shtëpi ka vetëm 2 gola dhe 6 pikë.
Prishtina për herë të parë pas më tepër se 4 vitesh ka arritur të mposht Dritën në Gjilan. Fitoren e fundit e kishte shënuar në Prill të vitit 2012 me rezultat 3-0.