Arkitektura aktuale e stadiumit mitik të Realit të Madridit le përshtypje të paharruara për tifozët që e vizitojnë në çdo ndeshje, e madje edhe ata nga ekrani i vogël.

Por projekti “i së ardhmes” i tempullit të “Los Blancos” mori “dritën jeshile” për t’i dhënë një tjetër pamje shtëpisë së skuadrës së Florentino Perezit.

Planet e Realit për t’i ndryshuar pamjen impiantit 70-vjeçar morën “OK”-in e komisionerit për Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban, që do t’i kalohet për miratim edhe Këshillit Bashkiak.

Rinovimi do të kapë shifrat e 400 milionë eurove dhe stadiumi, pas dorës së fundit të arkitektëve, do të ketë 81.044 vende.

Presidenti Florentino Perez njoftoi një dekadë më parë se do të rinovonte stadiumin, por kjo nuk u bë e mundur deri këtë vit, pasi planet e Realit hasën në rezistencën e Gjykatës së Lartë spanjolle.

Plani i amenduar përfshin një ide inovative me mbulesë argjendi dhe çati të lëvizshme. Parkimi gjigant aktual do të shembet, për të krijuar një zonë tifozësh për takime dhe qëndrim para ndeshjeve. Do të përfshihen gjithashtu një qendër tregtare dhe një hotel luksoz.

Punimet do të nisin këtë verë dhe do të përfundojnë në vitin 2019.

/ Top Channel

Artikulli paraprakDy gëzime brenda një dite: John të dielën shkruan historinë në futbollin kosovar
Artikulli tjetërE la futbollit që të bëhet “pornostar”