Ballina Uncategorized “Sports Illustrated”: LeBron James, sportisti i vitit

“Sports Illustrated”: LeBron James, sportisti i vitit

LeBron James nderohet me trofeun e sportistit më të mirë të vitit 2016, një çmim i akorduar nga revista “Sports Illustrated”.

Në një ceremoni të zhvilluar në Bruklin me këtë rast, ishin të pranishëm shumë yje të fushave të ndryshme mes të cilëve edhe reperi Jay-Z. Ylli i Cleveland Cavaliers, në fjalën e tij ia dedikoi këtë trofe disa prej legjendave të sportit botëror, për arritjet e tyre jo vetëm në karrierën sportive, por edhe në aspektin social.

“Ky çmim shkon për të madhin Muhammad Ali, Bill Russell, Jim Brown, Kareem Abdul Jabbar. Sot jemi këtu falë ketyre zotërinjve. Ata bënë atë që duhej për të përjetuar një mbrëmje si kjo në Bruklin, ku afroamerikanët, amerikanët e bardhë, meksikanët apo ata nga Republika Domenikane mund të qëndrojnë së bashku në të njëjtën dhomë. Kjo është një mbrëmje e pabesueshme jo vetëm për sportin, por edhe për jetën”, tha James.

Për LeBron James kjo është hera e dytë që shpallet sportisti i vitit, duke u bërë i dyti personalitet pas Tiger Woods që e arrin një gjë të tillë. Në mbrëmjen gala të Bruklinit u dha edhe çmimi për sportistin olimpik më të mirë të të gjitha kohërave, që i shkoi Michael Phelps, fitues i 28 medaljeve në karrierë në Lojërat Olimpike.

Artikulli paraprakÇ’ndodh me Atleticon? Në Spanjë japin 6 arsye për krizën!
Artikulli tjetërSekreti i Diego Costa-s? Birra