Një ndeshje e çmendur është zhvilluar në “Wanda Metropolitano”, aty ku Atletico Madrid dhe Getafe kanë dhuruar spektakël dhe tension. Gola, penallti, kartona të kuq dhe shumë përplasje, kjo sfidë i ka pasur të gjitha.

Suarez humbet një mundësi të artë për të kaluar vendasit në avantazh, pasi gabon nga pika e bardhë e penalltisë në minutat e para të sfidës. Atletico gjen golin me Correan dhe pak minuta më vonë dyfishon me Cunha.

U duk se fati i kësaj sfide u vendos, por Getafe reagon dhe shënon me Mayoral golin e parë. Unal realizon 2 gola nga pika e bardhë e penalltisë dhe kalon miqtë në avantazh 3-2. Emocionet e pjesës së parë janë të pafundme dhe Correa barazon shifrat në 3-3 në minutën e 5-të shtesë.

Skuadra e Simeones është më kërkuese në pjesën e dytë, por detyrohet të luajë me 10 lojtarë për më shumë se 30 minuta sepse Felipe merr karton të kuq.

Kur u duk se kjo ndeshje po shkonte drejt barazimit, Hermoso merr rolin e protagonistit dhe shënon golin e fitores për Atleticon, që falë këtij suksesi ngjitet në vendin e 4-t në renditje.

Osasuna vazhdon me paraqitjet e mira në kampionatin spanjoll dhe në javën e 24-t të LaLigas merr një fitore të çmuar në transfertë përballë Rayo Vallecanos. Miqtë fitojnë bindshëm 3-0 dhe tashmë kanë filluar të ëndërrojnë një vend në Kupat e Evropës.

Vallecano është në krizë të plotë, pasi në 5 takimet e fundit në kampionat ka marrë vetëm një pikë. Lojtari i kombëtares shqiptare Ivan Balliu ka luajtur gjithë ndeshjes për skuadrën vendase.

Spanjë – LaLiga / Java e 24-t

Atl. Madrid- Getafe 4-3

Correa 20’, 45+5’, Cunha 27’, Hermoso 89’/ Mayoral 30’, Unal 37’ (pen), 42’ (pen)

Rayo Vallecano- Osasuna 0-3

Moncayola 8’, R. Garcia 40’, K. Garcia 90+3’

Artikulli paraprakLajm i madh për Milanin vjen nga Anglia
Artikulli tjetërFormacionet zyrtare: Milan-Sampdoria