Federata Italiane e Futbollit (FIGC) dhe Luciano Spalletti kanë arritur një marrëveshje që ai të pasojë Roberto Mancinin si trajner i Azzurri, raportuan mediat italiane të premten.

Siç shkruan Gazzetta dello sport, Spalletti, zgjedhja e parë e FIGC, do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare, deri në shtator 2026, përcjell Korneri.net

Gazzetta dello sport shton se Spalletti pas disa bisedave telefonike i ka dhënë pëlqimin presidentit të FIGC, Gabriele Gravina, me të cilin do të takohet sot për të finalizuar kontratën e tij. Pas emërimit, i cili mund të zyrtarizohet të shtunën, Spalletti është planifikuar të mbajë konferencën e parë për shtyp si trajner të hënën, raporton e përditshmja sportive.

Pasi fitoi titullin e ligës italiane me Napolin në maj, 64-vjeçari Spalletti u largua nga klubi. Tashmë ai merr përsipër ekipin kombëtar që pavarësisht titullit evropian në vitin 2021, nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2022 në Katar.

Ai do të ketë vetëm disa ditë për t’u përgatitur për dy ndeshjet vendimtare për Azzurri nëse do të kualifikohen në Euro 2024, fillimisht në Maqedoninë e Veriut më 9 shtator dhe kundër Ukrainës në Milano tre ditë më vonë.

Negociatat me Spallettin u ndërlikuan nga ekzistenca e një klauzole në kontratën e tij që e lidh ende me Napolin, deri në qershor të vitit 2024, dhe sipas së cilës klubi duhet të paguajë dëmshpërblim prej tre milionë euro nëse ai pranon pozicionin e ri. Presidenti dhe pronari i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka paralajmëruar FIGC-në se nuk do të heqë dorë nga kjo tarifë, e cila ulet me 250,000 euro çdo muaj, për shkak të një “çështjeje parimore”. /Korneri.net

Artikulli paraprakËndrra evropiane, Struga luan në Shqipëri përballë Breidablikut
Artikulli tjetërManchester United dhe Liverpool po luftojnë për Amrabat