Më 19 Prill, në të njëjtën kohë kur plaste bomba e krijimit të Superligës Europiane, vinte edhe një tjetër lajm i bujshëm, shkarkimi i Jose Mourinhos nga stoli i Tottenhamit.

Në 86 ndeshje nën drejtimin e Spurs-ave, portugezi ka një bilanc prej 44 fitoresh, 19 barazimesh dhe 23 humbjesh, duke patur përqindjen më të ulët të ndeshjeve të fituara, 51.1, që nga koha kur drejtonte Leiran në Portugali në vitin 2001.

Pavarësisht mungesës së vazhdimësisë dhe rezultateve jo në standardin e tij, Jose krijoi një raport shumë pozitiv me disa nga futbollistët e tij dhe një ndër ta ishte Heung Min Son, i cili ende ndihet i trishtuar për largimin e “the special one”.

“Gjithmonë ndihesh keq kur dikush largohet nga puna. Nuk dua të flas shumë, por në 18 muajt që kemi punuar ka patur momente pozitive dhe negative, megjithatë për mendimin tim Mourinho është një nga trajnerët më të mirë në botë. Jam i mërzitur nga fakti që ai u largua pa fituar diçka me ne dhe për këtë më vjen shumë keq, por e ritheksoj, në mendjen time vazhdon të jetë ndër të mirët”, deklaroi koreano-jugori.

Mourinho edhe mund ta kish fituar një trofe me Tottenhamin, por u shkarkua pak ditë përpara finales së Kupës së Ligës kundër Manchester City-t, që u fitua pikërisht nga “citizens”.

/Supersport.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here