Kampioni në fuqi i botës, austriaku Marcel Hirscher, shënoi fitore të madhe në disiplinën e sllallomit të madh në Kupën e Botës, që u mbajt në Qendrën e Skive në Garmisch Partenkirchen të Gjermanisë. Ai zuri vendin e parë me kohë të kaluar për 2:39.95 minuta ose ka qenë më i shpejt për një sekondë e 50 qindtat se Matts Olsson nga Suedia.

Hirscher ka qenë fantastik në rrëshqitjen e dytë dhe ka krijuar epërsi të thellë, për faktin se në rrëshqitjen e parë ka qenë me nëntë qindtat e kohës më të dobët se francezi Alexis Pinturault. Mirëpo, në rrëshqitjen e dytë Pinturault nuk u tregua i shkathët, ndërsa Hirscher bëri paraqitje të përsosur. Skiatori gjerman, Stefan Luitz, renditet në vend të tretë me kohë më të dobët për një sekondë e 95 qindtat se vendi i parë. Pinturault nuk arriti as në podium, ngeci për 10 qindtat nga pozita e tretë.

Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, Hirscher kryeson me 1260 pikë, duke lënë pas Kristoffersen (828), Pinturault (763), Jansrud (675), Neureuther (525) etj. ndërsa në renditjen e sllallomit të madh, Hirscher udhëheq me 533 pikë, duke lënë pas: Pinturault (439), Faivre (360) etj.

Artikulli paraprak“Ciao” Juventus: Caceres i ka dy opcione për të vazhduar karrierën
Artikulli tjetërVjen afrikani i parë te skuadra e Feronikelit?