A22 Sports, pas vendimit favorizues të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, rinis projektin e Superligës, duke e përshtatur, pas protestave të tifozëve dhe largimit të 10 nga 12 klubeve themeluese në vitin 2021:

“Një sistem i hapur me promovime dhe rënie dhe dy faza: kampionat dhe fazë finale”, shihet në videon e publikuar në faqen zyrtare. “Propozimi ynë bazohet në meritat sportive dhe siguron qarkullim midis ligave të ndryshme. Ndeshjet do të luhen në mesjavë dhe Superliga do të integrohet në mënyrë të përsosur me kampionatet kombëtare.”

Formati i Superligës: Superliga e meshkujve do të ketë 64 skuadra, të ndara në tri liga: Yll, Ar dhe Blu. Në ligën e parë dhe të dytë, Yll dhe Ar, do të jenë 16 klube të ndara në dy grupe me nga tetë skuadra; në të fundit, Liga Blu, do të jenë katër grupe me tetë skuadra me gjithsej 32 klube.

Rregullorja: Pjesa e parë e Superligës do të zhvillohet nga shtatori deri në prill, me ndeshjet e kthimit ndërmjet skuadrave nga e njëjta ligë: pra 14 ndeshje për çdo ekip. Më pas do të jenë fazat finale të tri ligave, të cilat do të zhvillohen ndaras, duke filluar nga çerekfinalet: kualifikohen katër më të mirat e të dy grupeve të Ligës së Yjeve (për fazën finale të Ligës së Yjeve) dhe katër më të mirat e Ligës së Artë, në të dy grupet e ligës së Artë (për fazën finale të Ligës së Artë); më në fund kualifikohen dy më të mirat nga secili grup i Ligës blu (për fazën finale të Ligës Blu).

Çerekfinalet dhe gjysmëfinalet do të luhen me formatin vajtje-ardhje, ndërsa finalja – ndeshje teke – do të luhet në një fushë neutrale. Kështu do të shpallen tre kampionë: kampionët e Ligës së Yjeve, Ligës së Artë dhe Ligës Blu.

Dy të fundit të Ligës së Yjeve do të zbresin në Ligën e Artë dhe pa dyshim që dy të parat e Ligës së Artë do të promovohen në Ligën e Yjeve. E njëjta gjë vlen edhe për rënien dhe zbritjen nga Liga e Artë në Ligën Blu: dy të fundit zbresin dhe vendin e tyre e zënë dy të parat e ligës së fundit.

Çdo vit, 20 nga 32 skuadrat e Ligës Blu do të largohen nga Superliga dhe do të zëvendësohen nga njëzet skuadra, të zgjedhura në bazë të rezultateve të marra në kampionatet kombëtare.

Artikulli paraprakLautaro Martinez mund ta mbyll vitin para kohës
Artikulli tjetër“Krenarë për Championsin”/ Bayern, United, PSG dhe Atletico kundër Superligës