Shtyrja e ndeshjeve të Premier League, pas vdekjes së Mbretëreshës Elisabeta e Dytë, ka ngjallur mjaft diskutime.

Ka nga ata që kanë protestuar duke nënvizuar se nëse do të luhej ndoshta me publikun prezent dhe të prekur emocionalisht, siç ndodhi në ndeshjen e Conference League të West Hamit, do të kishte qenë mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e monarkes. Ndërkohë shtyrja e javës së 7-të krijon probleme me kalendarin, që tani shumë të ngjeshur për shkak të Botërorit në nëntor, pasi do të jetë e vështirë për të rikuperuar ndeshjet e humbura në fundjavë dhe problemet rrezikojnë të shtohen, pasi në pikëpyetje janë edhe takime të javës së ardhshme.

Mes motiveve që shtynë klubet e Premier League të dekretonin shtyrjen e ndeshjeve ishte dhe siguria në impiante. Një pjesë e mirë e forcave të rendit ishin të impenjuara në ceremonitë e ndryshme që kishin të bënin me vdekjen e Elisabetës dhe ngjitjen në fron të Charlsit të Tretë dhe ishte e vështirë të imagjinohej se do të kishte agjentë mjaftueshëm edhe për ndeshjet që do të duhej të luheshin. Duke marë në konsideratë që muajt e fundit janë shtuar incidentet në brendësi të stadiumeve, klubet vendosën të mos krijonin probleme. Ndërkohë “Daily Mail” këmbëngul se e njëjta situatë do të paraqitet edhe për fundjavën që vjen, pasi do të jenë shumë policë që do të dërgohen në një Londër të tejmbushur në ditët që i paraprijnë ditëve të varrimit të Mbretëreshës, të hënën e 19 shtatorit.

Edhe nëse do të jetë e mundur të luhet në qytete të tjera, mediet britanike shkruajnë se vështirë të imagjinohet se skuadrat londinëze që kanë ndeshjet e radhës në shtëpi të mund të zbresin në fushë. Takimet që rrezikojnë janë: Tottenham – Leicester, Arsenal – Brenford, dhe mbi të gjitha Chelsea – Liverpool. E vetmja mundësi është një zgjidhje “alla shqiptarçe, ndryshimi i fushës, me klubet që do të duhej të luanin në transfertë, të mikpresin londinezët. Por gjithsesi ka pak gjasa që skuadrat të pranojnë një zgjidhje të tillë. Për këtë arsye ekziston rreziku konkret që disa ndeshje të shtyhen, duke shtuar kështu kaosin me kalendarin. Një problem ky me një Botëror te dera, që të gjithë duan ta fitojnë dhe t’a dedikojnë… Mbretëreshës!

/Supersport.al

Artikulli paraprakRekordi i brazilianit të Realit, tani vlen 100 milionë
Artikulli tjetërLajme të këqija për kombëtaren afrikane, futbollisti i Bayern-it dëmtohet dhe humbet Botërorin