Atleti xhamajkan Usain Bolt ka humbur një nga 9 medaljet e arta olimpike të fituara në karrierën e tij. Më saktë, sprinteri xhamajkan ka humbur të artë e fituar në stafetën 4×100 metra në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, pasi një nga katër atletët xhamajkanë që kanë marrë pjesë në atë finale ka dalë pozitiv. Ai është Nesta Karter, por kaq ka mjaftuar që edhe tri atletët e tjerë që garuan në atë stafetë të humbasin të drejtën e medaljes së artë.

Pozitiviteti i Karter dihej, pasi ky lajm u mësua që pas Olimpiadës së Rios. Por ishte thjesht çështje kohe që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të merrte vendimin për t’i hequr të artën Xhamajkës. Bolt humbet kështu një rekord, pasi ishte atleti i vetëm që kishte fituar tri medalje të arta në tri Olimpiada radhazi, në të njëjtat disiplina (100, 200 dhe stafetën 4×100 metra). Njeriu më i shpejtë në botë triumfoi në Pekin, Londër dhe vjet në Rio, duke qenë një legjendë.

Pas këtij vendimi, medalja e artë e stafetës në 4×100 metra në “Pekin 2008” do t’i shkojë Trinidad&Tobago, ajo e argjendit për Japoninë dhe në podium ngjitet Brazili, që merr medaljen e bronzit. Pozitivteti i Karter erdhi pas ribërjes së analizave me metoda më të modifikuara nga WADA (një nga 454 rastet e reja të dopingut që përfshinë Pekinin dhe Londrën), ndërkohë që ai ka fituar të artën edhe në stafetën 4×100 metra në Olimpiadën e Londrës. Substanca me të cilën xhamajkani ka dalë pozitiv është methylhexaneamina.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here