Shkëlzen Gashi vazhdon ta jetojë ëndrrën amerikane. Mesfushori i Kombëtares është vlerësuar si lojtari i muajit tetor për ekipin e Colorado Rapids. 28-vjeçari u shpall fitues me votat e tifozëve në “Facebook” dhe Twitter”, duke mposhtur Kevin Doyle dhe Dominique Badji.
Colorado fitoi tri ndeshje, barazoi një dhe humbi po një gjatë muajit të fundit të sezonit të rregullt, dhe Gashi i luajti si titullar në pesë ndeshjet e deritanishme duke shënuar dy gola. Pak ditë më parë ai u vlerësua nga tifozët si lojtari më i mirë i sezonit, ndërsa është në garë për çmimin e debutuesit të vitit dhe golit më të bukur në MLS. Për këtë të fundit futbollisti kuqezi i ka kaluar dy fazat e para.
Shkëlzen Gashi e mbylli sezonin e rregullt me nëntë gola dhe katër asistime, duke qenë njeriu kyç në kualifikimin e Rapids në “play off”. Kundërshtari i radhës do të jetë Los Angeles Galaxy, me ndeshjen e parë që do të luhet më 30 tetor në Kaliforni dhe të kthimit më 6 nëntor në Colorado.