Real Madrid ka fituar derbin e kryeqytetit, të fundit të luajtur në stadium “Vicente Calderon”, teksa mposhti 3-0 Atletico Madrid, me tre golat e shënuar nga Cristiano Ronaldo, në paraqitjen e tij më të mirë në këtë sezon. “Los Blancos” të drejtuar nga Zinedine Zidane “arratisen” në krye të La Liga me 30 pikë pas 12 ndeshjesh, katër më shumë se Barcelona e vendit të dytë, që nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Malaga.

Real Madrid, kampion i Europës në fuqi, e vuajti presionin e Atletico në të dyja fillimet e pjesëve, por në momentin që ritmi i vendasve u ul, skuadra e Zidane e ndëshkoi dy herë dhe konfirmohet si pretendentja kryesore për të fituar titullin në Spanjë. Cristiano Ronaldo e shënoi golin e parë në mesin e pjesës së parë, falë një devijimi fatlum gjatë një goditje dënimi të ekzekutuar nga portugezi.

Cristiano Ronaldo fitoi një penallti dhe e shndërroi vetë në gol, kur kishin mbetur edhe 20 minuta lojë, ndërsa golin e tretë e realizoi me portën e boshatisur, pas pasimit të marrë nga Bale, duke realizuar golin e tij të 18-të në ndeshjet derbi, më shumë se kushdo tjetër në histori. Ky ishte goli numër 268 për portugezin në 235 ndeshje të luajtura në La Liga. Teksa Reali fluturon në krye, Atletico e Madrid, pëson humbjen e dytë radhazi që i lë 9 pikë larg kryesuesve.

Artikulli paraprakKëtu stërvitet Lushnja!!!
Artikulli tjetërJuve vazhdon me rezultate pozitive, asnjë pengesë nga Pescara