Goli që Radja Nainggolan-i realizoi kundër Inter-it në fitoren 2-0 të Roma-s në sezonin e shkuar la jo pak me gojë hapur në Itali, duke qenë se topi mori një shpejtësi të madhe, duke u kthyer në një raketë të pakapshme për gardianin Samir Handanovic.
Por pavarësisht bukurisë dhe veçantisë së tij, gjuajtja e mesfushorit belg nuk është më e forta në historinë e Serie A, por vetëm e pesta.
Janë të tjerë lojtarët që kanë bërë gjuajtje aq të fuqishme, sa janë kthyer në të padukshme për portierët që ruanin portën e shënjestruar.
Nainggolan, gol Interit me një shpejtësi prej 99,21 km/h
E pagabueshme nuhatja, bashkuar me fuqinë e goditjes. Topi i shkelmuar drejt Handanovic-it në pjesën e parë arriti një shpejtësi prej 99,21 km/h. Pas një sprinti prej 60 metrash, belgu realizoi një gol kryevepër, por jo më të shpejtin e Serisë A.
Këta janë futbollistët në kampionatin italian të aftë për të shkelmuar topin më fort.
‘Predha’ e Tevez kundër Genoa-s me 163 km/h
I pari është Carlitos Tevez. Ish-juventini në sezonin 2014/2015 shënoi në “Marassi” kundër Genoa-s. Ai gjuajti topin në drejtim të portës së Perin-it me një shpejtësi prej 163 km/h.
Traversa e goditur nga Adriano me 140 km/h
Sezoni 2004/2005. Në “San Siro”, ndeshja Inter-Palermo, ish ‘Perandori’ Adriano lëshoi një gjuajtje të fuqishme, por për fat të keq topi goditi traversën me shpejtësi 140 km/h.
Totti mund Buffon-in me një goditje që arrin 113 km/h
Në shkurt të vitit 2013, ishte Totti që u bë protagonist i një goditjeje të kalibruar dhe të fuqishme gjatë një ndeshjeje me Juventus-in. Predha ‘tokë-ajër’ nisur drejt portës së Juventus-it me shpejtësinë 113 km/h e gjeti Buffon-in të papërgatitur.
Goditja e dënimit të Ibra-s kundër Fiorentinës
Sezoni 2008/2009. Distanca ishte 32 metra, ndërsa në portë gjendej gardiani Frey i Fiorentina-s. Një rast ideal për Zlatan Ibrahimovic-in, për të realizuar një nga supergjuajtjet e tij. Pas gjuajtjes së suedezit, topi arriti shpejtësinë 109 km/h.