SHARE TWEET SHARE EMAIL KOMENTE
Kur shikon fizikun dhe forcën e saj, çdokush mund të mendojë se është një femër e pathyeshme jo vetëm në fushën e tenisit, por edhe në sfidat e jetës. Por Serena Williams e ka ç’mitizuar figurën e saj duke zbuluar momentin kur e ka parë veten në ‘shtratin e vdekjes’.
Ish numri një i tenisit për femra, ka ndarë me mediat eksperiencën e vështirë që kaloi gjatë lindjes dhe pas saj. 36-vjeçarja tregoi se gjatë procesit të lindjes pati komplikacione serioze, pasi foshnja pësoi rënie dramatike të ritmit të zemrës.
Për këtë arsye sportistja amerikane iu nënshtrua kirurgjisë që rezultoi e suksesshme, por kalvari i vërtetë i vuajtjeve nisi pikërisht pas ardhjes në jetë të fëmijës. Williams rrëfeu se për gati një javë pas lindjes, jeta e saj ishte në rrezik dhe iu desh të bënte një ndërhyrje tjetër kirurgjikale, pasi mjekët konstatuan një hematomë të madhe në zonën abdominale.
Këto peripeci u pasuan nga qëndrimi në shtrat në 6 javët e para të mëmësisë. Serena nuk ka ngurruar të falënderojë stafin mjekësor që u kujdes për të dhe theksoi se pa përkushtimin e tyre, përfundimi mund të ishte fatal.
Gjithsesi 23 herë fituesja e Grand Slam-it i ka hedhur mbas shpine këto vështirësi dhe tashmë po i gëzohet mëmësisë dhe rikthimit në karrierë. 36-vjeçarja rimori në dorë raketën në muajin shkurt të këtij viti, ku përfaqësoi ShBA-të në Fed Cup.
/Supersport.al