E përditshmja kroate, “Jutarnji list”, shkruan se serbët janë duke përgatitur një hakmarrje për “rastin e dronit” të lëshuar në ndeshjen Serbi – Shqipëri në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2016.
Sipas këtij mediumi, ekziston rreziku se kjo ndeshje historike, e cila do të luhet në Shkodër pas pesë ditësh mes Kosovës dhe Kroacisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin Rusia 2018, do të pengohet.

“Shqiptarët frikësohen, por edhe po përgatiten se dikush në këtë takim mund të kryejë hakmarrje për dronin e lëshuar në Beograd. Por, gjendja e gatishmërisë është e lartë, shqiptarët do bëjnë gjithçka që të mos ketë asnjë incident që mund të prishte ndeshjen historike”, ka thënë Pero Pejiç, futbollisti kroat që luan për Kukësin, transmeton “SrbijaDanas”.

Pejiç u ka bërë thirrje tifozëve kroatë që të vijnë në ndeshje, pasi sipas tij “me një grusht” euro mund të hanë e të pinë në Shqipërinë e varfër.

“Na duan si popull dhe do na presin me duar të hapura. Shqiptarët janë kështu me të gjithë ata që vijnë me qëllime të mira. Duhet ta dini se këtu jetohet në skamje, disa njerëz nuk kanë as çfarë të hanë, ndërsa të tjerë nuk dinë çfarë të bëjnë me para. Paga mujore e një kamarieri në Shqipëri është 150 euro. Kësisoj, një tifoz kroat këtu mund të jetojë mirë pa kursyer fare. Çmimet këtu janë të ulëta, mirëpo ushqimi është i mirë, kështu që me një grusht euro mund të kënaqeni”, ka përfunduar Pejiç, transmeton Koha.net.

Ndeshja Kosovë – Kroaci luhet të enjten, më 6 tetor nga ora 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Përballjen e parë në kuadër të kualifikimeve për në Botërorin Rusia 2018, pas pranimit në FIFA e UEFA, Kosova e zhvilloi me Finlandën, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 1:1.

Artikulli paraprakJa çfarë thotë kapiteni i Gjilanit pas fitores në derbi
Artikulli tjetërU ndërtua “Loro Boriçi”, por sërish Kosova ka stadiumin më të mirë