Kombëtarja kuqezi ka luajtur mbrëmë pa kapitenin e saj, Lorik Cana, i cili, çuditërisht, nuk u pa as në tribunën VIP të “Loro Boriçit”.
Rekordmeni i ndeshjeve të luajtura me kombëtaren shqiptare nuk ka zyrtarizuar as kalimin në ndonjë klub tjetër, pas largimit nga FC Nantes. Dje ishte dita e fundit e merkatos së futbollit në Europë, kështu që duket se Loriku ka vendosur “t’i varë këpucët në gozhdë”.
Jo se ka ndonjë moshë aq të madhe për këtë, por problemet fizike dhe shëndetësore e kushtëzojnë. Së pari, një operacion i kryer në shtyllën kurrizore, kur ishte lojtar i Lazios, nuk ka shkuar si duhej, ndaj pasojat vijon t’i ndiejë.
Krahas kësaj, mediat kanë shkruar dje për disa probleme në zemër, që ish-kapiteni kuqezi po i kalon. Për to është vënë në dijeni me kohë, që para Europianit të Francës. De Biazi dhe drejtuesit e lartë të FSHF-së e dinë, po ashtu, por dëshira e madhe për të marrë pjesë në finalet e një kompeticioni madhor, me fanellën kuqezi, ka predominuar mbi çdo rrezik të mundshëm shëndetësor.
Cana luajti ndaj Zvicrës, derisa mori kartonin e kuq, si dhe u aktivizua pak minuta në fitoren 1-0 ndaj Rumanisë. Si duket, për ta mbyllur këtu karrierën e futbollit të luajtur. Kohët e fundit, gjakovari është parë në bregdetin shqiptar, duke pushuar së bashku me gruan dhe djalin.
Gjithashtu, është shfaqur i angazhuar me promocionin që po i bën pijes energjike, e cila është një nga bizneset e tij, tashmë. Pra, larg futbollit, sikurse qëndroi edhe dje, me mospraninë në “Loro Boriçi”. Ndërkohë, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, Lorik Cana la të kuptohet se nuk është në gjendje për ta vijuar karrierën.
Të paktën për disa kohë. “Do të më duhet të bëj disa muaj pushim. Gjatë ditëve të ardhshme do të bëj një komunikatë publike rreth të ardhmes sime dhe aty do të sqaroj gjithçka”, – ka deklaruar shkurtimisht ish-kapiteni rekordmen kuqezi për gazetën në fjalë.