Skuadra e Gjilanit ka kaluar një situatë mjaft të vështirë administrative kohët e fundit, e reflektuar edhe në rezultate (një barazim dhe një humbje në dy ndeshje të zhvilluara). Fatmirësisht, “skifterët” tashmë kanë aksionarë të rinj dhe një president të ri, çka do të thotë se situata është drejt normalizimit.

Njoftimi i Gjilanit :

“Sport Club Gjilani konfirmon ndryshimet në udhëheqësinë e klubit, duke bërë të ditur që tashmë klubi kalon në duart e grupit të aksionarëve të rinj me përfaqësues z. Afrim Veliu, i cili njëherësh do të bartë postin e presidentit.

Pjesë e bordit të klubit do të jenë aksionarët e tjerë, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami.

Klubi ka qenë në proces të ndërrimit të pronësisë dhe pritjes së investitorëve strategjik për të përmirësuar rritjen e ardhshme të klubit, me qëllimin e vetëm për të përfituar nga mundësitë si në fushën e blertë ashtu edhe në anën komerciale.

Si pjesë e këtij procesi, klubi mori në konsideratë të gjitha alternativat strategjike, duke përfshirë investimet e reja në klub, stabilitetin financiar dhe atë sportiv, si dhe ndërtimin e një ekipi të ri konkurrues pas ndryshimeve të shumta të bëra në afatin kalimtar të verës.

Bordi i ardhshëm i klubit do të bëjë një vlerësim të disa nismave për ta forcuar klubin, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, rritjen e akademisë së klubit, ndërtimin e një strukturë kompetitive për ekipin e parë dhe afrimin edhe me të madh të tifozëve me klubin.

Gjithashtu, drejtuesit e rinj shprehin falënderimet më të sinqerta për gjithë qytetarët gjilanas dhe jo vetëm, për mikëpritjen fantastike dhe durimin e shfaqur në kohët e krizës për klubin, i cili tashmë merr një rrugëtim të ri.

Zyra për shtyp

29 Gusht, 2023″

Artikulli paraprakNga Anglia: Hazard gati të tërheqet nga futbolli
Artikulli tjetërFormacioni i javës në Serie A, dominojnë Milan dhe Monza